Trajneri Vllaznisë, Goce Sedloski, ka deklaruar se ekipi i tij do të bënte maksimumin për Europën deri në fundin e kampionatit.
“Kemi luajtur, nuk kemi qenë të lirshëm, lojtarët ishin me “frena dore”. Mbase mund të kenë qenë të stresuar, nuk ka qenë loja e vërtetë. Por i kuptoj lojtarët, kuptoj gjithçka. Nuk ka qenë e lehtë edhe për ta, ka qenë fundi i kampionatit, kur duhet me doemos të fitosh ndeshjen. Nuk është e thjeshtë, se edhe mund ta humbësh.
Kemi shënuar të parët, asnjëherë nuk i këshilloj të kthehen, por ata u tërhoqën. Ia lëshuan iniciativën Laçit dhe shënuan golin me penallti. Dhe kur sheh pastaj pjesën e dytë, ishte një ndeshje e hapur, kishin edhe ata raste mjaftueshëm, edhe ne në fund gjithashtu. Rezultati është ky që është dhe mbetet. Kemi edhe një shans tjetër dhe të shohim si do të shkojë. Kampionati është shumë i paqartë si për titull, edhe të tjerat. Duhet të qëndrojmë dhe të ringrihemi dhe luajmë edhe këto 95 minuta që kanë mbetur.
Këto ndeshje kanë qenë të vështira, të gjitha ndeshjet kanë qenë pothuajse finale. Unë do të vazhdoj përpjekjet që të ringrej ekipin që të luajmë ndeshje të mirë. Sa i përket asaj që do të ndodhë në ndeshjen tjetër, mes Partizanit dhe Teutës, siç e kam thënë edhe në konferencë për shtyp, ne do të shohim veten e luajmë për veten”, tha Sedloski për “Oversport” pas sfidës.