Ndërsa po mbushen 2 javë nga “14 maji”, kur Bashkia e Shkodrës kaloi nga PD- ja tek PS- ja, ka ardhur edhe dorëheqja e parë nga strukturat drejtuese të demokratëve shkodranë.
Përmes një publikimi në Facebook, Arben Lushaj, zëvendëskryetar i PD- së Shkodër, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga kjo detyrë. Në shënimin e tij, numri 2 i degës vendore të PD- së, thotë se “nuk jam pyetur e as dëgjuar”, ndërsa shton se përmes aktit të tij, “i dërgon mesazh përgjegjësve të vërtetë, të tregohen të ndershëm të paktën tani, duke u dorëhequr e tërhequr për të mos thelluar dëmin tek demokratët”.
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I ARBEN LUSHAJ
Të nderuar demokratë!
Me 14 maj zgjedhësit na mohuan vazhdimësinë e drejtimit të bashkisë tonë të dashur. Unë, personalisht, votën e tyre nuk e lexova si një dëshirë për ndryshim por si një dorëzim pa kushte ndaj makinerisë qeveritare.
Çdo arsye në vetvete do të përbënte kauzë për qëndresë, po të kishte patur nga ana jonë një model pa njollë, por modeli ynë dështoi sepse nuk i’u përgjigj lartësisë së këtij qyteti e kësaj bashkie.
Prita më kot se do mblidheshim si drejtues të lartë të Partisë Demokratike Shkodër për të shqyrtuar shkaqet e kësaj humbje dhe për të marrë masa urgjente për të ringritur strukturat moralisht, pasi humbja nuk duhet të na dërrmojë. Si gjithë vitin që lamë pas edhe sot, ata që kanë detyrën të kërkojnë të falur, minimalisht për strategjinë e gabuar, shtrijnë gishtin në drejtimin e atyre që zbatuan urdhërat e gabuar “të elitës”.
Duke dhënë dorëheqjen nga zëvendëskryetar i PD-së, jo për përgjegjësi personale pasi nuk jam pyetur e as dëgjuar, as për postin që e fitova me një garë të fortë, as për eksperiencën e fituar në fushatat e mëparshme, bëj aktin qytetar duke i dërguar mesazh përgjegjësve të vërtetë, të tregohen të ndershëm të paktën tani, duke u dorëhequr e tërhequr për të mos thelluar dëmin tek demokratët.
Dorëheqja ime vjen përmes Facebook-ut pasi as tentuam të hyjmë në shtëpinë tonë (selia) e as menduan seriozisht të kemi seli dinjitoze për mbledhje por kafene shokësh.
Me hidhërim, shoh sot të vetmen mundësi ringritjeje, hapjen e rrugës krejtësisht modeleve më të mira. Modeleve si në fillimet tona, atëherë kur e bënë Partinë Demokratike të Shqipërisë, dega Shkodër, një lokomotivë të pandalshme elektorale dhe drejtuese 30 vjeçare të bashkisë më të mirë të vendit.
Unë do të vazhdoj të jem anëtar i thjeshtë dhe i devotshëm i PD-së dhe në krah demokratëve të ndershëm deri në fitoren tonë.
Me respekt
Arben Lushaj