Me 20 maj 2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 14 Majit për Bashkinë Shkodër.
Për rezultatin, Celibashi tha se nuk ka asnjë pretendim nga asnjë palë as për zgjedhjet për kryetar bashkie ashtu edhe ato për këshillin bashkiak. Ndaj ai ka miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve duke shpallur Benet Becin kryetar të ri të Bashkisë së Shkodrës.
Në Këshillin Bashkiak kryeson PS me 18 mandate, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 13 mandate, PSD 12 mandate, PD 5 mandate dhe 3 forca të tjera më të vogla marrin nga 1 mandat.
Palët në proces, kishin të drejtën e ankimimit për këtë vendim brenda 5 ditëve nga shpallja e tij publike, pra nga data 20 maj 2023. Ka kaluar më shumë se një javë dhe nuk rezulton asnjë ankimim për Bashkinë e Shkodrës në KQZ.
Kështu, Benet Beci mbetet vetëm të marrë vlefshmërinë e mandatit të tij në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër dhe atëherë, sekretari i Këshillit Bashkiak brenda 20 ditëve, duhet të thërrasë mbledhjen e konstituimit të këshillit të ri, gjatë të cilës bën betimin dhe merr zyrtarisht detyrën kryebashkiaku i ri Benet Beci.
Edhe pse u fol për shitblerje të votës, manipulim e të tjera të kësaj natyre, askush nuk u ankua zyrtarisht në KQZ për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës. Me gjasë, jo vetëm nuk ka patur indicie e prova por gjithçka duket se ka qenë “limonatë elektorale”, shprehje e njohur në politikën shqiptare të 30 viteve të fundit.