Shkruan në Facebook Benet Beci, kryetar i zgjedhur i Bashkisë Shkodër: Për një Shkodër të pastër! Të dashur bashkëqytetarë, duke nisur nga dita e nesërme, e shtunë 10 qershor 2023, zonat e Velipojës, Ura e Bunës, Shiroka dhe Zogaj do të përfshihen në një aksion pastrimi.
Kjo ndërhyrje do të realizohet me përfshirjen e Forcave të Armatosura, si bashkëveprim mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektit dhe Bashkisë Shkoder.
Me synim mbrojtjen e mjedisit e shëndetit të njerëzve dhe si domosdoshmëri për mbarëvajtjen e sezonit turistik, aksioni do të përfshijë:
*pastrimin e skarpateve në të dy anët e Urës së vjetër të Bunës.
*pastrimin e përroit Qendër- Shirokë.
*pastrimin e mbetjeve të hedhura përgjatë rrugës Shirokë -Zogaj.
*pastrimin e mbetjeve sipërfaqësore në Vilu, në zonën e hidrovorit në Velipojë
*sistemimin e territorit dhe mbulimi i sipërfaqes.
*pastrimin e inerteve të objekteve të prishura nga IKMT (IMVT).
Mbarëvajtja e këtij aksioni disa ditor ka nevojë për mirëkuptimin e qytetarëve. Unë kam besim të plotë se të gjithë duam një Shkodër të pastër, ndaj jo vetëm në aksione të këtyre përmasave, por çdo ditë, vëmendja e shtuar e secilit prej nesh na siguron cilësi më të mirë jetese dhe mbrojtje të mjedisit. Faleminderit!