Në fakt nuk ka qenë asnjëherë një marrëdhënie e qëndrueshme pozitive ajo në mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. “Vulën” këtij raporti aspak normal për dy kryeministra të dy shteteve shqiptare, ia ka vënë këndvështrimi i ndryshëm për “Ballkanin e Hapur”. Por sot, situata në dukje, është edhe më e rëndë.
Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët në Gjakovë me Albin Kurtin, në kuadër të nismave rajonale të takimeve bilaterale mes kabineteve qeveritare. Anulimi erdhi pasi Rama propozoi një takim të reduktuar, me pak ministra nga të dy anët, meqenëse situata aktuale në Veri të Kosovës, nuk është aspak e mirë, pra e paqendrueshme.
Kryeministri Rama, në qasjen e tij si një lider pro- europian, ka harruar deri diku nevojën e Kosovës që “trungu amë”, ta mbështesë sidomos në ditë të keqe, siç është kjo e sotmja. Nga ana tjetër, Rama është kryeministër i një shteti antar të NATO- s dhe zyrtarisht tashmë, në paradhomën e antarësimit në Bashkimin Europian.
Zgjedhje e kryeministrit shqiptar të Shqipërisë, është e qartë. Më shumë se largpamësi apo lidership rajonal, është pragmatiste, në kuadër të vendimmarrjeve kolegjiale, pse jo të imponuara edhe në kuadër të NATO- s dhe BE- së. Shkurt, Edi Rama duket se po vendos prioritet moscënimin e marrëdhënieve personale por edhe të vendit të tij me NATO dhe BE.
Albin Kurti është sot personi më i votuar në Kosovë. Vendi funksionin si republikë, gjysmë- protektorat ndërkombëtar, me lidershipin e luftës të gjithin jashtë politikës aktive vendimmarrëse ose në burgjet e Hagës. Pesha e përgjegjësisë së Kurtit por edhe presidentes Osmani, është shumë e madhe. Mbase edhe më e madhe nga sa mund ta mbajnë supet e tyre.
Albin Kurti është konseguent në qendrimet e tij, edhe lidhur me Asociacionin komunave serbe në Kosovë. Po sillet si nacionalist, marksist, në dëm apo në interes të Kosovës, është e lehtë të perceptohet. Sot vendi rrezikon sanksione nga BE, disa shtete të së cilës, akoma nuk e kanë njohur si shtet të pavarur Kosovën. Pra, shkurt, saktë e qartë, Kurti po rrezikon interesat e Kosovës e kosovarëve. Sepse janë ndërkombëtarët ata që formësuan dhe po mbështesin Kosovën që është sot.
Albin Kurti e di mirë se Kosova akoma nuk është njohur ndërkombëtarisht, në kuadër të OKB- së, si shtet sovran dhe i pavarur. Nga ana tjetër, ai vijon të jetë i bindur se linja e veprimit e zgjedhur nga ai, është më e mira për Kosovën. Ndoshta, do të ishte momenti që ai të rikonfirmonte mbështetjen jo vetëm si kryeministër por edhe për Asociacionin. Nga zgjedhje të parakohëshme deri tek referendumi, mundësia e zgjidhjeve nuk është e vogël.
Albin Kurti u votua si kryeministër edhe për shkak të pozicionimit të tij lidhur me Asociacionin por sot, sidomos sot, është momenti që ai ti drejtohet kosovarëve me një pyetje të thjeshtë: Pro apo kundër Asociacionit të komunave serbe në Kosovë? Zgjidhje demokratike, por edhe ky një risk i madh pasi BE dhe NATO- nuk do të pranonin të vihej në dyshim propozimi i tyre, tashmë i konsoliduar.
Pas zgjedhjeve të parakohëshme në Veri të Kosovës, të domosdoshme pas braktisjes së qeverisjes vendore nga përfaqësuesit politikë të pakicës serbe, zgjedhjet futën në zyra si kryebashkiakë përfaqësues të partive shqiptare. Kjo, pasi partitë serbe, nuk morën pjesë në zgjedhje. Pak a shumë, si situata në Shqipëri në zgjedhjet e 2019- ës, kur opozita braktisi zgjedhjet dhe PS- ja mori gjithë qeverisjen vendore. Dikujt mund ti duket si krahasim jo i mirëmenduar, por po flasim për parim zgjedhjesh politike.
Edi Rama fiton jo pak nëse Albin Kurti bindet që zgjedhjet në Veri të Kosovës të ribëhen dhe Asociacioni të nisë rrugëtimin e tij zyrtar. Kryeministri shqiptar i Kosovës, humbet shumë, sidomos në konseguencën e tij publike për këto çeshtje. Tani nuk është punë emrash të përveçëm, as i Albinit e as i Edit. Individët me pushtet, e tregojnë forcën e tyre kur ngrihen publikisht mbi interesat e tyre.
Besoj se ka kohë të artikulohet dhe të organizohet shumë shpejt, nëse ka vullnet, një referendum në Kosovë. Askush nuk duhet të pyetet dhe nuk ka të drejtë të përgjigjet më shumë se banorët e Kosovës për Asociacionin. Edi Rama, NATO, BE kanë të gjitha hapësirat të përfshihen dhe të bindin shqiptarët e Kosovës të votojnë kundër Albinit dhe pro Asociacionit. Nëse ia dalin, edhe me ndihmën e presidentes Osmani dhe të tjerëve politikanë në Kosovë, e sigurtë është se Albin Kurti jep dorëheqjen si kryeministër, ndoshta edhe si lider i Vetevendosje!.
Në të kundërt, Rama dhe ndërkombëtarët duhet të bëjnë një hap pas dhe të gjejnë një strategji tjetër për të arritur qëllimet e tyre diplomatiko- politike. Vertetë Kosova nuk është njohur akoma ndërkombëtarisht si shtet i pavarur e sovran, por shqiptarët atje kanë të drejtë të vendosin vetë për territorin ku jetojnë. /Nga Blerti DELIJA/