Ndërsa me 16 qershor 2023 rreth mesdite, do të konstituohet Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 14 majit dhe do të bëjë betimin kryetari i zgjedhur Benet Beci, në administratën aktuale të Bashkisë Shkodër, vijojnë dorëheqjet.
Pas administratorëve të Pultit dhe Gurit të Zi dhe drejtorit të Drejtorisë Ekonomike të Arsimit, kanë nisur edhe dorëheqjet në nivelet më të larta të Bashkisë Shkodër, atë të zëvendëskryetarëve.
Mësohet se ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen Fatbardh Sheqi, zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër. Lajmi është konfirmuar nga vetë Sheqi për ShkodraWeb, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një vendim moral- politik të tij.
Sheqi ka mbajtur pozicione të rëndësishme në nivel vendor dhe rajonal, më herët edhe si sekretar i përgjithshëm në Prefekturën e Shkodrës por edhe postin e Prefektit për disa kohë. Në Bashkinë e Shkodrës erdhi si propozim i PR- së, aleate e PD- së në zgjedhjet e vitit 2015.
Po ashtu, bëhet me dije se ka depozituar dorëheqjen dhe zëvendëskryetari tjetër Ardit Çylybyli, ndërsa ne detyrë mbetet vetëm zëvendëskryetari Tonin Deda, i cili ushtron që pas 14 majit kompetencat e kryetarit të Bashkisë Shkodër në këtë fazë kalimtare të kalimit të pushtetit vendor nga Bardh Spahia tek Benet Beci në nivelin ekzekutiv të qeverisjes lokale.