Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar hartën e territorit ku u rrëmbyen nga forcat serbe 3 policët kosovarë. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai u shpreh se efektivët kanë qenë brenda territorit të Kosovës
“Në vendin e ngjarjes, kanë qenë KFOR-i e Policia e Kosovës. Aty janë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë. Por, janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë gjetur në vendin ku po themi ne, 1 kilometër brenda territorit të Kosovës”, tha Kurti.
Ai theksoi se ka institucionet e rendit dhe të sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë.
“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit, hakmarrje ndaj policisë që po e lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohën kur ne kemi propozuar planin për depërshkallëzim. Për këto arsye, institucionet tona të rendit e të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Ndërsa shtoi: “Cenimi i kufirit dje nga Serbia na detyron ta rrisim kontrollin kufitar, ku varësisht nga analizat e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo s’mund të garantohet siguria.”