Abuzimi me pushtetin, nuk është një fenomen i ri. Ai ka lindur bashkë me njerëzimin dhe organizimin e jetës sociale në kuadër të konceptit “shtet”. Sigurisht, ka patur abuzime të shumëllojshme e shumëfishta para dhe pas Epokës së Re. Ndryshimi me sot, vetëm mundësia e informimit dhe publikimit të këtyre rasteve.
Në Shqipëri, një nga rastet e para të bëra publike, është ai i Ylli Pangos, ministër asokohe i qeverisë Berisha. Emisioni investigativ “Fiks Fare”, diku në mars 2009, e kapi në “flagrancë” duke kërkuar favore seksuale në këmbim të punësimit të një vajze. Sigurisht, ishte kamera e fshehtë, e dokumentuar dhe kryeministri Berisha e shkarkoi menjëherë sa u publikua rasti.
Një tjetër rast, përsëri me kamera të fshehtë, një 20- vjeçare denoncoi me video Shukri Xhelilin, i cili kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Ishte viti 2016 dhe madje, kryebashkiaku i Dibrës jo vetëm u shkarkua nga kryeministri Rama, jo vetëm u arrestua dhe u dënua por edhe tregoi se kryebashkiakët mund të jetë të varfër, madje me vrimë në brekët e tyre.
Mesa duket, një herë në 7 vite fati e ka përcaktuar që nga një VIP i politikës shqiptare, të tregojë se komandohet nga “koka e vogël” dhe jo nga “koka e madhe”. Këtë herë jo vetëm kryebashkiak, por një nga njerëzit më të pasur të politikës, figurë edhe e administrimit të futbollit përveçse politikës, si Safet Gjici. Përsëri viktimë e kameras së fshehtë, në këtë raste me pamje që nuk lënë shteg për asnjë ekuivok. Dorëheqje e menjëhershme, SPAK nis hetimin dhe kryeministri Rama e shkarkon me VKM.
Sigurisht, edhe politikanët janë “prej mishi e gjaku”, edhe ata kanë instikte që kalojnë natyrën njerëzore në disa raste. Megjithatë, nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë. Postet, zyrat, privilegjet ia kanë të përkohshme, janë pronë e bonus nga publiku dhe duhet ta mendojnë vetëm non stop “live” në sytë e votuesve. Është puna apo misioni i opozitës, emisioneve investigative apo edhe qytetarëve, ti monitorojnë rreptësisht, edhe përmes kamerave të fshehta.
Raste të famshme publike në Shqipëri, të abuzimit dhe shpërdorimit të pushtetit, përveç tre më sipër, njihen shumë pak. Politika është ajsberg dhe vetëm 3/10 janë të dukshme për sytë e publikut, pjesa tjetër është “nën ujë” e padukshme. Sa mund të jenë numri i abuzuesve e shpërdoruesve të pushtetit në të gjitha nivelet e tij? I lartë, shumë po shumë i lartë. Në mënyra të ndryshme, edhe me përfitime seksuale, jo pak raste, edhe pa dëshirë reciproke.
Kodi Penal duhet ndryshuar, duhet ashpërsuar për rastet e abuzimit apo shpërdorimit të pushtetit. Sepse abuzuesit paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, thyejnë besimin e marrë përmes votës dhe janë shembull i shemtuar i administrimit të publikes. Nga ana tjetër, tregojnë se për një arsye apo tjetër, janë maniakë, të frustruar edhe seksualisht dhe si të tillë, duhen mbajtur sa më larg karrigeve e zyrave të shtetit. Ndoshta është mirë që veç verifikimeve të tjera, të bëhet edhe një test- psikologjik seksual për çdo kandidat në të gjitha nivelet e pushtetit. /Shënim i ShkodraWeb/