Këshilli Bashkiak i Shkodrës rrezikon shpërndarjen akoma pa u konstituar. Ligji organik, nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” e përcakton qartë se kur këshilli bashkiak shpërndahet.
Kjo ndodh në mbledhjen e parë, zhvillimi i të cilës dështon tre herë radhazi. Kështu, Neni 48, “Mbledhja e parë e këshillit bashkiak”, e përcakton qartë se:
1. Këshilli bashkiak zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent, i përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
2. Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti.
3. Në rast se asnjë nga subjektet e sipër-përmendura nuk e ushtron këtë të drejtë, brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve.
4. Mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të tij, të shpallur nga organi kompetent, i përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet dhe ajo thirret çdo tri ditë, por jo më shumë se tri herë. Në rastet kur edhe pas tri herë thirrjeje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak Denis Lesha, ka ushtruar të drejtën e tij sipas pikës 2 të këtij neni. Ai njoftoi publikisht mbledhjen me 16 qershor 2023, ora 11.30. Pak orë përpara, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, Lesha njoftoi anulimin e mbledhjes. Në zbatim të pikës 4 të këtij neni, brenda tre ditëve, Lesha ka njoftuar mbledhjen e dytë, me 19 qershor 2023, ora 11.00. Nëse hipotetikisht, pavarësisht arsyeve kjo mbledhje dështon, sekretari Lesha ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e tretë brenda tre ditëve, maksimumi me 22 qershor 2023. Me datë 25 qershor, thirret mbledhja e fundit. Nëse edhe kjo mbledhje nuk zhvillohet, këshilli bashkiak, sipas ligjit, konsiderohet i shpërndarë.
Pra kalohet në zgjedhje të parakohëshme vetëm për këshillin bashkiak. Natyrisht, kjo është edhe çeshtje interpretimi juristësh, por gjithsesi ligji 139/2015 duket se nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Gjithsesi, vështirë që subjektet politike e vetë këshilltarët, të futen në një spirale të tillë por si mundësi teorike, shpërndarja e këshillit bashkiak ekziston. /ShkodraWeb/