Sot Kujtim Alija do të festonte 62- vjetorin e lindjes nëse ai 27 gusht 2021, do ta largonte nga ne fizikisht. Me shumë mundësi, sot do të mblidhej me miq e me kolegë, familjarë e të njohur për të tokur gotat e gëzimit. Ndërsa sot, ai mungon. Mungon shumë, duke lënë një boshllëk që vonë do të mbushet, nëse do të mbushet ndonjëherë.
Nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ata që e kanë njohur e dinë mirë. Ndër të rrallët njerëz që gjithmonë u udhëhoq nga pasioni, ndër të vetmit që ishte gjithmonë në lëvizje, me nxitim, a thua se e parandjente se orët, ditët, muajt, vitet do ti kishte të pakta në këtë botë. E donte të bukurën, vlerësonte dhe mbështeste talentin, udhëhiqte të rinjtë në shtigjet e artit.
Dinjitoz në shkallë siperiore, edhe atëherë kur disa budallenj guxuan të vënë në diskutim qendrimin e tij si drejtor i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, e cila me shumë meritë, sot mban emrin e tij, Kujtim Alija. Ishte dinjitoz por dhe i vendosur kur përpiqej me mish e me shpirt të mos lejonte rrembimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë nga Shkodra drejt Tiranës. Dinjitoz edhe në përballjen me sëmundjen e rëndë, betejën me të cilën fatkeqësisht e humbi.
Nuk është e vështirë të shkruash për Mjeshtrin e Madhe Kujtim Alija. Sidomos ata që kanë patur fatin ta njohin nga afër, të punojnë e bashkëpunojnë me të. Por është e vështirë të shkruash në mungesë, pak ditë pasi një nga krijesat e tij më të suksesshme dhe jetë gjata, “Bilbilat…”, u shfaq në mediat lokale. Një tjetër event, përmes të cilit u evidentuan, promovuan e fluturuan lart shumë emra të njohur të artit shkodran e shqiptar.
E unë që për shkak të profesionit, e kam njohur e bashkëpunuar me të, kam shumë të kujtoj e të risjell në vemendje. Kujtoj shpesh disa shprehje të tipit “nuk e ka shkru Zoti për atë punë” dhe “Shkodra duhet të luajë gjithmonë në kategorinë e parë”. Nuk e di nëse miqtë apo familja sot do të mblidhen diku për të kujtuar Kujtim Alinë në 62 vjetorin e lindjes. Por e them me bindje se data si kjo, duhet të futen në agjendën e eventeve që organizon së paku qeverisja vendore.
Vertetë që 62 vite më parë, lindi një person, një individ, një qytetar i Shkodrës. Por bashkë me të nisi një epokë e mirëfilltë e lulzimit të artit në Shkodër e më përtej. Falë punës së Kujtim Alisë, sot krenohemi të gjithë, më shumë, si qytetarë të Shkodrës, si bashkëqytetarë të artistëve të dalë nga dora e tij dhe që shkëlqejnë brenda e jashtë vendit. Festofsh me ëngjëjt Kujto! Këtu poshtë u mungon shumë njerëzve! /Nga Blerti DELIJA/