Kryetari i ri i bashkisë Shkodër është zyrtarisht në detyrë e ceremonia e betimit të tij, ka marrë vëmendjen e mediave dhe qytetarëve. Sigurisht kjo ditë ka prodhuar lajme, që duket se janë në vijueshmëri të plotë me fushatën pozitive të zotit Beci. Edhe ne kete ceremoni, siç jemi mësuar tashmë, ishin të pranishëm bashkëshortja, fëmijët dhe familjarët e tij.
Përtej hapave procedurialë, ajo që bën më shumë përshtypje, ishte fjala e tij pas ceremonisë së betimit. Puna, qytetarët, Shkodra. Këto janë fjalët kyçe. Në një fjalë të shkurtër, ku partitë u përmendën veç për të vlerësuar faktin që tashmë këshilli është shumëngjyrësh, kryetari Beci nuk u zgjat as në analiza, e as në premtime.
Fokusi duhet të jetë puna. Kjo është kryefjala e tij. Në fakt, edhe gjatë këtij muaji procedurash nga dita e zgjedhjeve e deri sot në marrjen zyrtarisht të detyrës, z.Beci ka drejtuar disa procese pune, rezultatet e të cilave më shumë se në lajme, janë të prekshme në terren. Por le të kthehemi te fjala e tij sot.
Z.Beci, sic është përsëritur shpesh, nuk është socialisti tipik, por as politikani tipik e kjo u duk më së miri sot. Kryetari ka vlerësuar faktin që këshilli ka përfaqësues të shumë partive, por ka nënvizuar se Bashkia do të jetë dera e hapur për të gjithë, e madje ka shkuar më tej, duke folur për trajtim të barabartë të çdo qytetari, pavarësisht çdo përkatësie.
Z.Beci foli për Shkodrën, që duhet jo thjesht të kapë vitet e humbura, por të pararendë zhvillimet e të bëhet qyteti për fëmijët e të ardhmes. Na bën kureshtar kjo fjali, e cila përtej narrativës elektorale, duket se do të jetë boshti i pogramit të punës së kryetarit që do të menaxhojë bashkinë e Shkodrës në katër vitet e ardhshme.
Lajtmotivi i tij, qytetarët, besimi i tyre si privilegj e përgjegjësi, dhe premtimi për të qeverisur duke u mbështetur tek mendimet e pritshmëritë e tyre u nënvizua nga kryetari.
Me një optimizëm të matur, z.Beci shfaqi edhe njëherë përkushtimin e tij për të punuar fort. Duke uruar mbarësi e duke falenderuar me modestinë që kryetari duket se e ka tipar dallues, z.Beci nuk ka harruar t’i kujtojë të gjjthëve që ka një gjë që duhet t’i bashkojë dhe që vjen e para, Shkodra.