Një skandal është regjistruar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër. Relatori i çështjes penale Tomorr Shkreli, i cili po gjykon çështjen e shtetasit Ajet Rexhepi, i vendos kushte përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Fran Dashi, ku brenda 22 orëve të studiojë dosjen prej 600 faqesh dhe të paraqesë mbrojtjen. Për këtë arsye avokati Fran Dashi kërkoi dhe dërgoi kërkesën me shkrim, për përjashtimin e gjyqtarit Tomor Shkreli nga trupi gjykues për njëanshmëri dhe paragjykimin e çështjes.
Është zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit Gjirokastër seanca e parë për shtetasin Ajet Rexhepi, i cili u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me 25 vjet burg për veprën penale: “Vjedhje në bashkëpunim me pasojë vdekje” dhe “Armëmbajtje pa leje” për një ngjarje të ndodhur në 13 shkurt 2016, në fshatin Shkallë, Bashkia Konispol, ku gjeti vdekjen Pajtim Shehu, 44 vjeç. Si në seancën e masës së sigurisë por edhe në të 16 seancat gjyqësore të zhvilluara në Sarandë shtetasi Ajet Rexhepi nuk ka pranuar veprën penale për të cilën edhe është arrestuar duke mohuar se është ai autori i vrasjes së Pajtim Shehut.
Nisur nga situata në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër shtetasi Ajet Rexhepi, i cili deri në përfundim të gjykimit edhe në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, ndodhet në paraburgim në Sarandë, me t’u kthyer, bëhet me dije se, ka hyrë në grevë urie.