Gjykata Kushtetuese është në krye të piramidës së institucioneve të së drejtës në vend, por kur vjen fjala tek paratë, nuk pasqyron drejtësi! Konkretisht në procesin e prokurimit Kushtetuesja vepron njësoj si drejtorët dhe sekretarët e korruptuar të administratës së qeverisë.
Holta Zaçaj është zgjidhur në shkurt të këtij viti në krye të Kushtetueses dhe me sa duket nuk e di ç’bëjnë vartësit me fondet e institucionit, që në fund të fundit janë para që merren nga taksat e qytetarëve.
Konkretisht, Kushtetuesja ka hapur tenderin me vlerë 333 milionë lekë me objekt “Auditimin dhe vlerësimin e funksionaliteteve dhe sigurisë së sistemeve dhe infrastrukturës I.T”.
Më qartë, këto para do të shkojnë për persona që do bëjnë mbikëqyrjen e infrastrukturës së IT të Kushtetutës dhe për ketë institucioni i drejtuar nga Zaçja do të paguajë 333 milionë lekë. Duket një fondi madh për një punë audituese, por le t’ia lëmë institucioneve audituese që ta vlerësojnë se si e llogariti, ku i gjeti referencat Zaçe për të caktuar vlerën e këtij fondi.
Përpos kësaj, tenderi ka përfunduar i denoncuar në KPP, për shkak të një ankese të dorëzuar nga firma “FIRST”.
Denoncimi
Kompania pretendon se në kriteret e tenderit nuk kërkohej asnjë kod sekret për certifikatën e punonjësit të IT, por më pas i është kërkuar nga njëri prej komisionerëve me anë të telefonit dhe kodi i është dërguar më pas Autoritetit Kontraktor me e-mail.
Por, Kushtetuesja nuk e ka marrë parasysh këtë dhe e ka skualifikuar ofertën e firmës “First” me argumentin se nuk vërteton që certifikata e punonjësit është e vlefshme dhe vërtetë.
“Certifikata e Punonjësit sipas pikës 2.3.3 është e vlefshme deri në 2024 dhe është konfirmo kritereve te veçanta të procedurës se prokurimit, lëshuar nga organizëm i mirënjohur ndërkombëtar. Kopja origjinale është noterizuar dhe vendosur online në portalin APP sipas procedurës. Me telefon nga Z. Luan Sina na u kërkua kodi i verifikimit dhe është dërguar me e-mail.
Duam të theksojmë që askund në procedure nuk është kërkuar që certifikata te këtë kod sekret Apo te veçantë”, thuhet në ankesë.
Duke theksuar se Autoriteti Kontraktor (Kushtetuesja) mund ta vërtetojë lehtësisht përmes kodit personal vlefshmërinë e certifikatës. Kompania pretendon se këto janë anashkalime të qëllimshme të Kushtetueses për të financuar një firmë, që me siguri është paracaktuar si fituese.
Vështirë që SPAK të veprojë ndaj Kushtetueses, përderisa ka bërë një sy qorr edhe ndaj institucioneve më të vogla. Gjithsesi, çështja është në dorë të KPP, që do të vendosë anulimin ose vazhdimin e procedurave të tenderit.