Eksodi te Vllaznia ka qenë i madh këtë merkato vere dhe sot është zyrtarizuar një tjetër largim. Mesfushori Fjoart Jonuzi nuk është më pjesë e shkodranëve dhe vetë klubi tashmë e ka njoftuar diçka të tillë.
Në fakt, lajmi ishte bërë i ditur prej kohësh duke qenë se kontrata e mesfushorit kishte skaduar. Si duket, palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Jonuzi është në dëshirat e klubit të Tiranës në Superiore, por për të ka oferta edhe nga jashtë dhe me shumë gjasa, ai do të largohet nga Superiorja.
“Pas tre vitesh rrugëtimi të përbashkët, i vjen fundi bashkëpunimit me futbollistin Fjoart Jonuzi. Klubi e falënderon atë për kontributin e dhënë për ngjyrat kuqeblu, shoqëruar edhe me fitimin e dy trofeve të Kupës së Shqipërisë. Faleminderit Fjoart dhe suksese në karrierën tënde të mëtejshme”, shkruan klubi.