Administrata e re bashkiake “Beci” nuk humbet kohë. Ndërsa zyrtarisht nisi punën me 19 qershor, ditën e sotme, që në orët e para të mëngjesit, i është futur aksionit.
Është rikthyer larja dhe dezinfektimi me klor i pedonaleve të qytetit, një procedurë rutinë, sidomos në stinën e nxehtë, e cila kryhet rregullisht prej shumë vitesh nga Ujësjellës- Kanalizime Shkodër.
Që në orët e para të mëngjesit, mjete dhe punonjës të UKSH- së, kanë kryer procedurën e zakonshme, e cila synon më shumë higjienë për kalimtarët në pedonalet e Shkodrës, të cilat janë edhe më të frekuentuarat.
Po sot, janë larguar edhe vazot dekorative në rrugën e hyrjes në qytet, në drejtimin e Tiranës. Vazot dekorative prej vitesh qendronin në pjesën ndarëse të këtij aksi por nuk ka ndonjë sqarim për arsyen e heqjes së tyre.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Bashkia Shkodër ka paralajmëruar aksion për lirimin e hapësirave publike duke nisur nga data 26 qershor. deri atëherë, shkelësit e ligjit, janë të ftuar të lirojnë vetë këto hapësira ose të drejtohen në Z1N për marrjen e lejes përkatëse për shfrytëzimin e tyre.
Në ditët në vijim pritet të ketë edhe nisma të tjera të ngjashme nga administrata e re bashkiake e Shkodrës.