Redon Dragoshi, Konstantin Çeshmedjiev dhe Millosh Stojanoviç në mbrojtje, Eslit Sala në mesfushë dhe Ildi Gruda e Darko Dodev në sulm. Këto janë gjashtë afrimet e deritanishme të Vllaznisë në merkaton e verës, por nga skuadra janë larguar plot 13 lojtarë: Liridon Latifi, Kaina Nunjesh, Kristjan Vulaj, Elvedin Heriç, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Darko Bulatoviç, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Erdenis Gurishta, Herald Marku, Ante Aralica dhe Bojan Zogoviç.
Në këto kushte, klubi e ka të domosdoshme të vijojë me përforcimet, pasi në disa pozicione ka deficite dhe mungesë alternativash, duke filluar nga porta, mesfusha dhe sulmi.
Edhe në mbrojtje duket sikur Vllazina është kompletuar pas ardhjeve të fundit dhe në një farë mënyre ka kompensuar firot, mësohet se vijon të mbetet e hapur pista për Egzon Belicën.
32-vjeçari mbylli sezonin te Prishtina dhe tashmë është futbollist i lirë, pasi nuk ka rinovuar me klubin kosovar. Klubi shkodran ka pasur kontakte me qendërmbrojtësin, por duket se palët janë larg njëra-tjetrës për kushtet financiare. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim.
Nga ana tjetër, për portën ka dilema në klub, pasi ende nuk po arrihet një marrëveshje me ata që janë kontaktuar. Klement Boje i Tomorit është një pistë e mundshme, por gjasat janë që stafi teknik të besojë te Kristi Qarri për sezonin e ri dhe të afrohet vetëm ndonjë portier që mund të shtojë konkurrencën.
Ndërkohë, gazeta mëson se së fundmi në skenë ka dalë për mesfushën edhe Idriz Batha si një alternativë, krahas Ardit Krymit, për të cilin shpresohet deri në fund se mund të prishë kontratën në Bjellorusi dhe të kthehet te Vllaznia.
Sa i përket sulmit, klubi pëlqente Blerim Krasniqin, i cili në sezonin e kaluar luajti në Rumani me Miovenin. 26-vjeçari kavajas prishi kontratën me Miovenin dhe Vllaznia i bëri ofertë, por sulmuesi refuzoi, duke pranuar të rikthehej në Kosovë, aty ku Drita e Gjilanit e joshi. Aktualisht në dispozicion për majën e sulmit është vetëm Balaj, prandaj dhe klubi kërkon tjetër lojtar.