Bashkia e Shkodrës ka paralajmëruar të gjitha subjektet që kanë zënë hapësirat publike t’i lirojnë ato, duke i lënë një afat 5 ditor nga dalja e urdhrit! Ky urdhër është përshëndetur nga qytetarë të ndryshëm në rrjetet sociale, të cilët kënaqen me faktin se do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në trotuaret e zaptuara nga pronarët e lokaleve apo shitësit ambulantë, të cilët kanë privatizuar (me leje apo jo) hapësirën e vetme që qytetarët kanë për të ecur në bazë të rregullave të qarkullimit rrugor apo ato pak lukishte që ka Shkodra.
Por duke lexuar me vëmendje këtë urdhër të kryebashkiakut të ri, ku i bëhet thirrje “subjekteve që s’kanë lidhur kontratë me Bashkinë për përdorimin e këtyre hapësirave t’i lirojnë ato, në të kundërt do jetë Bashkia ajo që do ndërhyjë me forcën që i jep ligji”.
Po ashtu më poshtë në njoftimin e Bashkisë citohet se “të gjithë qytetarët apo subjektet që duan të përfitojnë përdorimin e hapësirave sipas ligjit, i ftojmë të për t’u paraqitur pranë Zyrës me një ndalesë etj…”
Po nëse të gjithë ato subjekte dhe qytetarë që kanë zënë hapësirat publike ofrohen për të lidhur kontratat, atëherë i bie që këto hapësira do vijojnë të jenë të zëna dhe njerëzit sërish s’do kenë trotuaret në dispozicion të tyre apo lulishtet?
Gjithsesi, se si do të veprohet dhe se sa do lirohen hapësirat publike kjo mbetet për tu parë pas afatit 5-ditor!
Një tjetër problem në fakt që gjithashtu është serioz dhe që ka lidhje me zënien e hapësirave publike është edhe fakti se disa subjekte kanë të rezervuar parkingjet e personalizuara në shërbim të biznesit të tyre. Ata paguajnë një tarifë vjetore që është 20 lek për orë, ku sipas përllogaritjeve për 365 ditë për 24 orë, i bie që çdo subjekt/qytetar të paguajë një pagesë vjetore rreth 175,200 lek të reja, parashikuar në paketën fiskale të miratuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër në pikën për: “Tarifa parkimi për mjetet e liçensuara, dhe tarifa për parkimin e automjeteve në vendparkime publike me pagesë”.
Të gjitha këto subjekte që kanë parkingjet e personalizuara ndodhen në zona rezidenciale, dhe banorët e pallateve nuk kanë akses në parkingun e përcaktuar, pasi tashmë “pronarët” e tij janë bizneset poshtë pallateve. Në të gjitha këto vend-parkingje të liçencuara nuk ka një tabelë që tregon orarin se nga cila orë deri në cilën orë është në shërbim të biznesit, apo edhe vetë qytetarit.
Para një situate të tillë qytetarët e Shkodrës të cilët duhet të jenë shfrytëzuesit e gjithë hapsirës së qytetit si taksapagues, janë të privuar nga kjo e drejtë pasi në asnjë nga këto parkingje nuk ka një tabelë që përcakton orarin e shfrytëzimit të hapësirës që subjekti/qytetari dispozicion me leje nga Bashkiak Shkodër.
Bashkia e Shkodrës, dhe kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës z. Benet Beci duhet të bëjë transparencë dhe të vendosë tabelat e orareve që këto subjekte biznesi paguajnë për parkingjet e personalizuara, të cilat jashtë orarit të pagesës duhet t’i rikthehen qytetarëve.
Një transparencë e tillë bën që ata që kanë paguar dhe mbajnë peng parkingjet edhe jashtë orarit të pagesës sikurse edhe ata që s’kanë paguar taksën pranë Bashkisë dhe i mbajnë peng me leje ‘vetjake”, janë në shkelje të ligjit, dhe duhet të trajtohen si zaptues të pronës së përbashkët publike. /Nga Eliona KODRA SHKRELI, këshilltare bashkiake e Shkodrës, publikuar në facebook/