Në fakt duke parë një Shkodër të rrethuar nga të djathtit, nuk mund të pritej fitore për Benetin, por ky arsyetim i gabuar parazgjedhor, erdhi edhe nga dehja politike, me bindjen se PD nuk i lëshon bastionet.
Realisht, mund të jem njeriu i parë që jam zhgënjyer thellë me rezultatin zgjedhor, nuk isha marrë me sondazhe konkrete por kisha ndjekur plagosjen e shoqërisë, krizën sociale, kjo e shoqëruar gjithçka me korrupsion e kriminalitet.
Ndërsa Benet Becin unë e kam ndjekur vazhdimisht në të gjitha pozicionet e tij drejtuese, e kam ndjekur me krenari si verior, pasi Veriu qysh në 2013 -ën pati përfaqësimin më keq të mundshëm në parlamentin shqiptar, kjo dhuratë e ardhur nga lideri socialist, me një dashkeqësi e fobi ndaj bashkëkombasve të vet.
Zoti Benet Beci në gjitha pozicionet e rëndësishme që i janë besuar nga djathta e sot e majta, ka shkëlqimin e plotë të një zyrtari perfekt, me bindje se sot është kryebashkiaku më elitar i këtij kombi, edhe unë krenari për qytetarin e parë të kryeqëndres time veriore.
Por nëse unë do të kisha qënë votues në Shkoder, me bindje se do votoja kundër Benetit, me arsyetimin e bindjes time politike, por tani i uroj suksese të sinqerta. Mesa duket do kemi një Benet fortë, elitar dhe punëtor! /Nga Agron PREBIBAJ, gazetar, kryeredaktor i gazetës “Euro Albania”/