“Të izoluar në mënyrë të pashpjegueshme nga të dyja anët, nga frika e “infektimit” nga pastërtia dhe entuziazmi i banorëve të Kampit Veror të Projektit Shpresa, gjetëm mënyrën për të qenë dinjitoz, falë edhe mbështetjes dhe talentit të mikut tonë të nderuar, z. Lulzim Mehmetaj i cili na pajisi me këtë tendë të bukur. Faleminderit Lul për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.”.
Ky publikim i thjeshtë në rrjete sociale nga Luigj Mila, drejtor i Projekti Shpresa, kthen në fokus një temë që nuk e trajtojmë aq shpesh: Atë të diskriminimit për shkak të problemeve fizike, mendore, psikologjike etj.
Prej shumë vitesh, mbi 20 vjet, Projekti Shpresa mbështet persona me probleme kryesisht mendore. Një grup njerëzish, pa ndërprerje, në shtëpi të posçame për ti larguar nga institucionet e zymta, i ofrojnë shërbime të gjithanshme personave që mikrpiten nga Projekti Shpresa. Veç të tjerave, përtej shifrave asnjëherë të mjaftueshme, ky projekt financohet në një masë edhe nga Bashkia Shkodër.
Gjatë verës, për disa javë, Projekti Shpresa zhvendoset në Velipojë, me kampin e vet veror. Një mundësi shumë e mirë për tu argëtuar, larguar stresin e të nxehtin e këtyre ditëve. Por fatkeqësisht, pa dëshirën e tyre, ky kamp veror ngjan me një geto. Po, po, geto. Dikush ka imponuar që parcela e tyre e plazhit në breg të detit, të izolohet me një gardh të lartë kallamash.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta në rrjet dhe është koha që institucionet të veprojnë. Duke filluar nga Bashkia e Shkodrës, e cila me mekanizmat e vet, duhet të ofrojë kushte të njëjta për të gjithë frekuentuesit e plazhit të Velipojës. Nga kush duhet të fshihen apo të mos shihen banorët e kampit të Projektit Shpresa në Velipojë?!
Duke falenderuar Luigj Milën por edhe të tjerë që në rrjete sociale e trajtuan këtë temë, mendojmë se nuk duhet heshtur. Asgjë e mirë nuk vjen nëse heshtim, sidomos për kategori vurnerabël, që kanë nevojë më shumë se të tjerët për përkujdesje. Është koha të veprohet! Menjëherë! Diskriminimi është i pajustifikueshëm, i patolerueshëm! /ShkodraWeb/