Gjatë rrugës deri tek harku i Bërdicës, përveç trafikut të tmerrshëm që bëhet këto ditë, qytetarët e Shkodrës po hasin vazhdimisht në një fenomen për të cilin tash sa vite po punohet duke marrë masa të ndryshme për parandalimin e tij, i cili është shfrytëzimi i të miturëve nga Komuniteti Rom për qëllime lëmoshë. Ky veprim është i ndaluar dhe kundërshtohet nga Ligji Nr. 18/2017 PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS dhe Ligji Nr. 9062, datë 8.5.2003 KODI I FAMILJES.
Unë e kuptoj se fenomeni i shfrytëzimit të të miturëve për lëmoshë nuk është vetëm një problem lokal, por një sfidë më e gjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjithashtu është më se i kuptuar që kryetari i sapo ardhur në pushtet nuk mund të bëjë mrekulli me shkop magjik por ajo që nuk e kuptoj është që trashëgimia institucionale që është lënë në Bashkinë Shkodër për parandalimin e këtij fenomeni pse nuk aktivizohet, rivlerësohet, kontekstualizohet si p.sh. Plani Social i zonës, Plani i zhvillimit të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, Ngritja e grupeve të terrenit etj, të rikonsultohen dhe të vazhdohet me përmirësimin e politikave me anë të konsultimeve dhe të zbatimit të tyre.
Në këtë shkrim kam përmendur disa vende në qytetin e Shkodrës ku ky fenomen është më i shpeshtë, siç janë pedonalja e qytetit e frekuentuar nga turistët, rrethrrotullimi tek Kisha e Zojës, Ura e Re e Bunës, Ura e Bahçallëkut dhe Kufiri i Muriçanit. Këto vende janë bërë një ambient i përshtatshëm për shfrytëzuesit e të miturëve. Besoj që tashmë të gjithëve na ka ra në sy dhe të gjithë e ndiejmë nevojën për veprim. Nuk po thëm veprime të ndërmarra nga një institucion, por veprime të ndërmarra nga bashkëpunimi ndërinstitucional, ku përgjegjësia ndahet: Policia e Shtetit, Shërbimi Social Shtetëror, Shërbimi Social i Bashkisë, Prokuroria, Gjykata, organizatat vendore, bizneset, etj.
Disa nga problematikat që mund të rrjedhin nga ky fenomen janë:
• Shkelje e të drejtave të fëmijëve;
• Rritje e rrezikut për dhunë dhe abuzim;
• Degradim i imazhit të Komunitetit Rom;
• Rritja e diskriminimit;
• Përhapja e fenomenit;
• Ndikim negativ në turizmin dhe imazhin e qytetit; etj.
Në këtë drejtim, duke u bazuar në historikun e nismave të Bashkisë Shkodër, do të sugjeroja rimerren nismat që janë realizuar deri para disa viteve:
• Ngritjen e një grupi ndërsektorial dhe ndërinstitucional për realizimin e një plani urgjent për parandalimin e këtij fenomeni;
• Vazhdimi i punës për sensibilizimin dhe edukimin e komunitetit Rom, duke ofruar mënyra alternative të jetesës dhe krijimin e mundësive të shkëmbimit.
• Vazhdimi i realizimit të Kampit Veror për fëmijët e qytetit të Shkodrës pa dallim etnie, besimi etj., në bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërsektorial.
• Realizimi i fushatave ndërgjegjësuese në bashkëpunim dhe bashkërendim me institucionet tjera në nivel vendor, bizneset, organizatat dhe mediat vendore.
• Ndëshkimi dhe gjobitja e individëve që vazhdojnë shfrytëzimin e të miturve dhe procedimi në rrugët legjislative.
“Ti dhurojmë fëmijës hapësirën që të ndihet fëmijë” – kjo ishte një moto që ka ndjekur animatorët dhe mua kur kemi realizuar Kampin Veror tek Shkolla Edit Durham. /Nga Engjell GJUGJA, publikuar në Facebook/