Në vitin 1960 organet e Sigurimit të Shtetit në kuadrit e luftës kundër “armikut të brendshëm”, arrestuan një fshatar nga Oboti. Për një vit hetuesi, nën dajak e torturë e bënë fshatarin të “pranonte” fajet që ata kishin vendosur për të.
Fshatari që nuk dinte as të shkruante akuzohej se në bashkëpunim me Teme Sejkon, flotën e 6-të amerikane, jugosllavët, monarko-fashistët grekë, etj, bënte pjesë në një organizatë klandestine e cila do përmbyste me forcë “pushtetin popullor”, duke formuar banda, zhvilluar agjitacion e propagandë, etj.
Pasi dosja u kopsit plot me “prova”, “bashkëpunëtori” i Teme Sejkos doli në gjyq. Në seancën e parë, u zhvillua ky debat midis kryetarit të gjykatës dhe fshatarit:
-Kryetari: I pandehur, i pranoni akuzat, d.m.th. që në bashkëpunim me tradhtarin Teme Sejkon keni komplotuar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë?
-Fshatari: O zotni gjykatës, aman më thoni, Temja a asht burrë apo grue?
(Pak a shumë, siç më është treguar nga i ndjeri Hektor Sejko) /Publikuar në Facebook nga Kastriot DERVISHI/