Bilanc lufte kjo e diel në Shkodër! Sapo është njoftuar se dy bashkëshortë, të cilët u përplasën nga një autobus me turistë që vinte nga Mali i Zi, tek udhëtonin në aksin Koplik- Shkodër ditën e djeshme, kanë ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës. Në orët e para të kësaj dite, u njoftua se ndërroi jetë tek Trauma e Tiranës një shtetas, i cili u aksidentua me mjetin e tij të enjten në rrugën e Dukagjinit!
Ademi, Sadija dhe Gjeloshi nga sot i mungojnë familjeve dhe të afërmëve të tyre. Për shumëkënd, ata janë thjesht dhe vetëm statistika të aksidenteve njerëzore. Së pari, të Policisë së Shtetit, e cila në bilancet e veta “krenohet” se këtë periudhë pati aq apo kaq viktima në pak se njëjta periudhë e vitit të kaluar. Së dyti, e ministrave apo kryeministrave të radhës, të cilët krenohen me kilometrat e rrugëve të shtruara “nën udhëheqjen e tyre”, madje me numër të ulët viktimash.
Paradoksi i ketyre aksidenteve është se ata ndodhën në dy zona të ndryshme, krejtësisht të ndryshme edhe si reliev. Çifti i bashkëshortëve ndërruan jetë duke udhëtuar në një nga akset më të mira rrugore, në një kohë kur dielli ndriçonte fort. Gjelosh Rushaj ndërroi jetë në një rrugë malore që vetëm rrugë nuk mund të quhet, rrugën e Dukagjinit. Vdekja e tij bëhet edhe më therëse teksa prej tre ditësh para aksidentit fatkeq, punonte për të riparuar një rrugë në të njëjtën zonë. Vetëm pak muaj më parë, në Bogë ndërroi jetë po në një aksident vëllai dhe nipi i tij.
Këtë vend është nisë “ta marrë dreqi”. Pamjet e freskëta të një rrahje të filmuar nga autorët e dhunës mbi dy qytetarë që guxojnë të ankohen për një padrejtësi, eklipsojnë aksidentet tragjike. Deri në atë pikë sa të shkarkohet ministri i brendshëm. Policia nuk ka guxim të veprojë, të dalë në rrugë përballë të fortëve. Sidomos kur mes radhëve të të fortëve, ka persona me imunitet.
Të hënën një ministër i ri i brendshëm do të vijë në detyrë. Megjithatë, të fortët me shumë mundësi, do të vijojnë të jenë të paprekshëm. Këtë kanë treguar këto 30 vite, pavarësisht emrave të ministrave, kryeministrave e presidentëve. Por ky ministër, nëse do të lërë gjurmë, duhet të nxjerrë në rrugë Policinë Rrugore. Sepse me këtë ritëm, përveç emigracionit të pandalshëm, ky vend do të farohet nga aksidentet rrugore! /Nga Blerti DELIJA/