Shumë miq, dashamirës dhe kolegë e panë me dyshim (mbase me të drejtë) startin e ShkodraWeb Media me 10 korrik 2017. Një media e re online po futej në botën e pamatë të informimit. Një botë ku portalet, për qëllime nga më të ndryshmet, mbinin pambarimisht. Shumë skeptikë e shihin si diçka që mund te zgjaste një vit, dy dhe pastaj…
Ja ku jemi sot, në mbyllje të vitit të gjashtë të jetës, të shtrirë dhe me audiencë të konsoliduar në të gjitha rrjetet sociale. Jemi në tregun mediatik online, duke pohuar me krenari se jemi më të klikuarit në hapësirën gjeografike të Veriut shqiptar. Sot më shumë se kurrë jemi të bindur se ShkodraWeb e ka merituar të nisë rrugëtimin me 10 korrik 2017!
I kemi sherbyer gjithmonë Shkodrës, evidentimit të vlerave njerëzore, natyrore të kësaj kryeqendre jo vetëm të Veriut por edhe mbarë Shqiptarisë. Nuk kemi bërë asnjëherë kompromis me të keqen, kemi refuzuar presionet, kemi bashkëpunuar e bashkëpunojmë fort me kolegët, mediat tradicionale dhe ato online. Natyrisht kemi dhënë opinione, kemi analizuar edhe pse jo të gjithëve u kanë pëlqyer. Sepse ne nuk fuam të jemi thjesht e vetëm të pëlqyer por të vertetë!
Sot duhet të bëjmë shumë falenderime! Janë të shumtë ata që na kanë ndihmuar të rritemi në këto vite, të jemi këta që jemi sot me synimin për t’u përmirësuar në vijimësi. Do ta nisim me kolegët tanë në katër anët e vendit! Falë punës së tyre, bashkëpunimit të sinqertë, po vazhdojmë rrugëtimin tonë prej 6 vitesh! Kryefjala jonë e padiskutueshme janë qytetarët, jo vetëm shkodranë po nga çdo vend i botës! Mbështetja e tyre ka qenë, është e do të mbetet jetike, e pazëvendësueshme. Jo vetëm ata që na ndjekin, ne klikojnë e na besojnë si burim informacioni por edhe ata që mendimet e tyre zgjedhin t’i shpërndajnë përmes ShkodraWeb Media! Të gjithëve një FALEMINDERIT të madhe publike!
Kur u nisëm 6 vjet më parë, zgjodhëm parimin tonë drejtues: E Verteta nuk negociohet! Sigurisht me jo pak kosto por duke qenë të vetëdijshëm se liria është gjëja më e çmuar, me bindjen se: E Verteta të bën të lirë! Edhe sot besojmë fort tek këto vlera, të cilat përpiqemi t’i promovojmë çdo ditë! E në fund, një premtim: Kur të na mbyllen të gjitha hapësirat e lirisë, atëherë ShkodraWeb do të pushojë së ekzistuari! Deri atëherë do vazhdojmë të besojmë tek E Verteta e vlerat e saj! /Shenim i ShkodraWeb/