Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 22 vite burg Arbër Paplekaj, i cili vrau Pjerin Xhuvanin, ngjarje e ndodhur 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Dy ish-nën drejtorët, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi janë dënuar me 1 vit shërbim prove, ndërsa policët me 8 muaj “shërbim prove”.
Avokatët e Paplekajt janë shprehur se do të apelojnë vendimin e togave të zeza.
Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar 25 vite burg për Arbër Paplekajn.
Pjerin Xhuvani u vra dy vite më parë pasi u qëllua me armë zjarri nga Arbër Paplekaj, pjesë e grupit për Mbrojtjes së Votës në Partinë Demokratike.
Si pasojë e kësaj ngjarje mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).
Në seancën e datës 7 korrik 2023, Arbër Paplekaj u shpreh se e kreu vrasjen për vetëmbrojtje.
“Kam kaluar testin e integritetit nga agjencitë amerikane kur jam dërguar ne Afganistan. Jam dekoruar nga Kryeministri për luftën e antiterrorist. Kam qenë 10 vjet me armë në brez. 10 vjet jam përplasur me grupe kriminale dhe kurrë s’e kam përdorur. Pasi më shajtën, më dhunuan dhe më qëlluan shokun me plumb më thoni ç’duhet të beja? Nuk pata rrugë tjetër.
Nuk desha me e vra atë djalë. Nuk gëzova me e vra atë djalë. Mbrojta jetën teme. U përballa me instinktet. Jam ish-anëtar i forcave speciale. Dhe instinkti i parë, për të cilin jam stërvitur është të reagoj kur rrezikohet jeta ime apo e dikujt. Në momentin që sheh armën reagon. E njihni teorinë e qenve të Pavollovit? S’kam vepruar me zemër. Kam qenë makineri. Kam reaguar si jam stërvitur për dhjetëra vite.”
Paplekaj më pas iu ka drejtuar edhe gjyqtares së çështjes: “Shpresoj që në vendimin tënd do të jesh e drejtë. Do jesh e fortë. Do ruash parimet dhe dinjitetin tënd. Nuk kërkoj drejtësi. Kërkoj vetëm vërtetësi për një akuzë qesharake që më bëhet nga një prokurori që kërkoi të bëjë rolin e ekspertit, rolin e psikologut, por nuk bëri vetëm rolin e saj të hetimit të ngjarjes”, tha ai.