Rruga e Thethit, ishte një nga intestimet më të mirëpritura të 30 viteve të fundit në qarkun e Shkodrës. Përfundimi i punimeve rreth 1 vit më parë, u mirëprit jo vetëm nga banorët e zonës dhe pronarët e bujtinave por edhe turistët e shumtë që e frekuentonin.
Një vit më pas, situata duket se është e mjerueshme. Shtresa asfaltike e kësaj rruge, në shumë pjesë të saj, është dëmtuar ndjeshëm, duke krijuar jo pak probleme për qarkullimin e mjeteve motorike.
Ka qenë ish- zëvendësministri i Kulturës, një nga arkitektët më të mirënjohur Zef Çuni, ai që ka evidentuar situatën e rëndë, përmes publikimit të fotove, madje duke kërkuar edhe ndëshkim spektakolar.
“VETEM NJE VIT PAS PERFUNDIMIT RRUGA E THETHIT ESHTE DEMTUAR NE SHTRESAT ASFALTIKE DHE KISHTE FILLUAR ARNIMI. AUTORITET PERGJEGJESE DUHET TI JAPIN NJE NDESHKIM SPEKTAKOLAR ATYRE QE BEJNE PUNIME PA CILESI DHE JASHTE KUSHTEVE TEKNIKE, DUKE DEMTUAR RENDE PERSPEKTIVEN E TURIZMIT NE KETE ZONE.”, shkruan arkitekti Zef Çuni në rrjetet sociale.
Është momenti që vemendja ndaj investimeve publike të jetë më e madhe dhe jo të konsiderohet çdo gjë e kryer me prerjen e shiritit të përurimit. Aq më shumë, kur bëhet fjalë për para publike, të taksapaguesve shqiptarë. /ShkodraWeb/