Marrëveshja politike jozyrtare PS- PSD për qarkun e Shkodrës, funksionon. Bashkimi i votave në Këshillin e Qarkut Shkodër, ka sjellë në krye të këtij organi të qeverisjes vendore Marina Duhani, përfaqësuese e PSD- së.
Në mbledhjen e sotme të konstituimit, Duhani ka marrë 19 nga 22 votat e anëtarëve të Këshillit të Qarkut, përfaqësues të 5 bashkive: Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Vau- Dejës, Fushë Arrëz.
PSD e Tom Doshit ka kërkuar dhe ka marrë këtë pozicion, i cili më tepër është honorifik nisur nga kompetencat e reduktuara që ka Këshilli i Qarkut Shkodër. Në nivel qarku, PSD mori 37 këshilltarë në 5 bashki, një më shumë se PS- ja.
E diplomuar në Spanjë për tregti ndërkombëtare, me eksperiencë pune me disa shoqata, Marina Duhani zëvendëson Hilmi Laktin e PS- së, i cili e drejtoi 4 vitet e fundit këtë organ të qeverisjes vendore. Postin e nënkryetarit do ta mbajë sërish Lulzim Zaraj nga M. Madhe.
Zgjedhjen e Duhanit e kishte paralajmëruar që para më shumë se një muaji ShkodraWeb. Arritja e kompromisit politik u bë shkak për shtyrjen e mbledhjes së konstituimit edhe të Këshillit Bashkiak të Shkodrës.