Pas zgjedhjve të 14 majit, PSD- ja e Tom Doshit po përfshihet në nivelin e qeverisjes vendore me pozicione të rëndësishme në Qarkun e Shkodrës. Pasi mori kryesimin e Këshillit të Qarkut Shkodër me Marina Duhani si kryetare, tashmë PSD- ja po merr edhe pozicione ekzekutive në 5 bashkitë e këtij rajoni.
Bëhet me dije se nesër, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, do të bëhet prezantimi i zëvendëskryetarit të tretë në Bashkinë Malësi e Madhe. Bëhet me dije se ai do të jetë Esmerin Kukaj.
Esmerin Kukaj ishte i 13- ti në listën e këshilltarëve të PSD- së në Malësi të Madhe, ku partia e Tom Doshit arriti të marrë 8 këshilltarë. Bëhet me dije se emërimi i një nënkryetari të tretë, ishte pjesë e marrëveshjes parazgjedhore në mes PS- së dhe PSD- së. Natyrisht, marrëveshje jozyrtare politike.
Emërimi i nënkryetarëve të bashkisë, sipas ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është kompetencë e kryetarit të bashkisë, në këtë rast kryebashkiakut Tonin Marina që sapo ka nisur mandatin e tretë radhazi.
Aktualisht, zëvendëskryetarë të Bashkisë Malësi e Madhe janë Sytki Ndrecaj dhe Brunilda Isufaj.