Tani nuk ka asnjë vlerë gjendja penale e Saimir Tahirit, çështja e të cilit shkaktoi aq shumë debat javët e fundit në Shqipëri. As për sot, dhe, as për nesër.
Kryetimonieri le ta mbajë me shëndet dhe le t’i gëzohet po të dojë “fitores” së vet të bujshme, kur ia hoqi nga duart në çastin e fundit prokurorëve yllin tashmë të shuar të qeverisë Rama 1.
Ndoshta dy patentat e skafit që u gjetën në kroskotin e makinës së një “kundravajtësi” bashkë me një thes me 863 mijë euro, mund të mos i sjellin pasoja juridike ish-ministrit emblematik të mandatit të parë të socialistëve.
Por kjo nuk është aspak rrethanë lehtësuese për Edi Ramën. Përkundrazi, kjo është prova më e qartë se pushteti i tij nuk është vetëm i inkriminuar, por edhe tmerrësisht banal.
Figura e dytë e qeverisë së Edi Ramës në mandatin e parë është tashmë një personazh grotesk, që jo vetëm i ka shitur makinën trafikantëve, në përgjimet e të cilëve rezulton të trajtohet gati si një anëtar i thjeshtë i bandës. Sepse pikërisht kur timonieri po përpiqej, nganjëherë jo pa sukses, me çdo mjet që të shpërqendronte vëmendjen prej tij, vjen skandali i fundit. I cili i vë vulën çdo dileme dhe i heq dyshimet edhe më skeptikut, se kemi të bëjmë me një pushtet të krimbur dhe të kalbur nga krimi.
Dhe pyetja është nëse është vërtetë kaq fatzi ky Saimir Tahiri, saqë e çoi dreqi atë tipin me 863 mijë euro në makinë që të binte në pritën e policisë së Elbasanit? Apo që ky soj zyrtarësh është kaq i përfshirë në aktivitete okulte, sa edhe kontrollet më rutinë mund t’i nxjerrin zbuluar? Faktet mbështesin versionin e dytë, ndaj edhe kushdo sot në këtë vend ka të drejtë të mendojë se po ta gërvishësh edhe pak, këtyre mund t’u gjesh edhe patenta avionësh të vegjël apo batiskafësh, që përdoren jo vetëm nga kartelet kolumbiane për transport droge.
Dhe për mua, kjo është fatura që paguhet gjithmonë, kur e ndan pushtetin me krimin dhe këtë e kthen në strategji politike. Por mbi të gjitha, kur këtë filozofi antishtet dhe këtë aleancë gati publike me bandat e aplikon me arrogancën dhe me shkujdesjen e atij, që mendon se nuk ka rëndësi ajo që ndodh, por vetëm mënyra se si ajo tregohet. Jam shumë kurioz të di se si do ta justifikojnë këtë skandal Edi Rama dhe të gjithë ata që besojnë ende në pagabueshmërinë e timonierit. Po ishin pak të mençur, duhet të ndjeheshin të lumtur vetëm me faktin se, mos ndoshta ajo që ka ndodhur nuk është vepër penale për ish-ministrin. Por deri aty. Sepse më tutje, ngado që ta kapësh, ajo të bën të zësh hundët me dorë prej kutërbimit të një pushteti që po dekompozohet dita-ditës.