Me datë 10 korrik 2023, në hyrje të rrugës “Daut Boriçi” si dhe në dalje të rrugës “Shyqyri Rroji”, pranë kryqëzimit “Ura Dervishbeg”, Blvd. “Zog I”, janë vendosur tabela të qarkullimit rrugor, të cilat, në zbatim të tyre, përcaktojnë në mënyrë të detyruar se qarkullimi në rrugën “Daut Boriçi” do të realizohet vetëm në një drejtim, Perash- Parrucë, dalja nga ruga “Shyqyri Rroji” do të realizohet vetëm në krahun e majtë të saj, me drejtim në Parrucë dhe drejtimi Parrucë – Xhabije.
Këto kufizime janë tërësisht në shkelje formale dhe thelbësore të Kodit Rrugor që është në fuqi aktualisht në Republikën e Shqipërisë. Këto kufizime
tregojnë qartazi se janë vendosur nga subjekte që nuk respektojnë historikun e qarkullimit të këtij qyteti dhe lidhjet dhe komunikimet tradicionale që këto dy lagje dhe jo vetëm këto lagje, kanë patur prej vitesh me njëra-tjetrën.
Shkeljet formale konsistojnë në faktin se: janë vendosur nga subjekte që nuk e gëzojnë këtë autoritet apo kompetencë ligjore për t’i vendosur. Shkeljet thelbësore konsistojnë në faktin se nuk respektojnë qëllimin për të cilat ato (tabelat) duhet të vendosen.
Për të qartësuar këto konstatime mjafton të citojmë dispozitat përkatëse të Kodit Rrugor, si vijon:
Neni 36
Planet urbane të trafikut, planet e trafikut për lëvizjen interurbane dhe plani interurban i trafikut (ndryshuar me ligjin nr. 9808, datë 24.9.2007)
1. Bashkitë me popullsi mbi 20 000 banorë janë të detyruara të hartojne planet urbane të trafikut.
2. Detyrimit të pikës 1 i nënshtrohen edhe bashkitë me popullsi më të vogël se 20 000 banorë, ku regjistrohet, gjatë vitit, një fluks turistësh, si rezultat i rritjes së turizmit ditor ose ato që duhet të zgjdhin probleme të veçanta për shkak të bllokimeve të trafikut rrugor. Lista e këtyre bashkive hartohet nga këshilli i qarkut dhe publikohet nga ministria përkatëse që mbulon këtë fushë.
3. Këshillat e qarqeve dhe Autoriteti Rrugor Kombëtar hartojnë planet e trafikut për lëvizjen interurbane, në bashkëpunim me bashkitë dhe entet e tjera pronare.
4. Plani i trafikut urban synon përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë rrugore, uljen e ndotjes akustike, atmosferike dhe kursimin e energiisë, në përputhje me rregullat urbanistike dhe me planin e transportit, për ruajtjen e vlerave mjedisore, duke përcaktuar përparësite dhe kohën e zbatimit të tyre.
Plani urban i trafikut parashikon pajisjen me sisteme të përshtatshme teknologjike, të informatizuara për rregullimin dhe kontrollin e trafikut, nëpërmjet verifikimit të ngadalësimeve dhe qëndrimeve, për rregullimin e fluksit të trafikut rrugor, i domosdoshëm për realizimin e objektivave të përcaktuar.
5. Këshillat e qarqeve, bashkitë, hartojnë dhe përditësojnë planet urbane të trafikut dhe planet për lëvizjen interurbane, sipas kritereve, urdhrave dhe udhëzimeve të nxjerra nga ministri që mbulon veprimtarinë në bashkëpunim me ministrinë që mbulon veprimtarinë mjedisore, mbështetur në planin kombëtar të transportit.
6. Planet urbane të trafikut rishikohen çdo dy vjet. Kryetarët e këshillave të qarqeve dhe të bashkive janë të detyruar të informojnë edhe ministrinë, që mbulon veprimtarinë përkatëse, për futjen e të dhënave në sistemin informativ të arkivit kombëtar, sipas pikës 2 të nenit 221 të Kodit.
7. Autoriteti Rrugor Kombëtar harton planin interurban të trafikut të mjeteve për akset kryesore kombëtare, të cilin e miraton ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse. Plani interurban i trafikut rishikohet çdo dy vjet.
Siç mund të konstatohet lehtë, çdo tabelë e qarkullimit në trafikun urban duhet të vendoset sipas një plani urban të detajuar. Ky plan urban dhe ndryshimet e tij nuk kryhen nga kryetarët e bashkive, por me vendimet e këshillave të bashkive që, në rastin konkret, nuk ka rezultuar se është i tillë rasti, pasi këshilli i bashkisë Shkodër, i sapokonstituuar nuk e ka marrë nje vendim te tillë. Gjithësesi, dhe vendimi i këtij këshilli i duhet njoftuar ministrisë përkatëse, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Dhe një njoftim i tillë nuk rezulton të jetë bërë, për të vetmin shkak se, nuk ka patur vendim që t’i njoftohet kësaj ministrie.
Ajo që është më cënuese nga vendosja e këtyre tabelave është fakti se nuk ka respektuar parashikimin e dispozitës së sipërcituar lidhur me përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë rrugore, uljen e ndotjes akustike, atmosferike dhe kursimin e energjise, që përbëjnë qëllimin apo synimin kryesor të pasjes së një plani të tillë, “Plani i trafikut urban”! /Nga Plarent ANAMALI, avokat, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës/