Vllaznia nuk ia del të përsëritë mrekullinë e para dy viteve me Shiroki Brijeg. Kuqeblutë e Migen Memellit i thonë lamtumirë Europës së futbollit që në turin e parë të Conference League.
Pas humbjes një javë më parë në Irlandën e Veriut 1- 3, pretendohej përmbysja e rezultatit në “Loro Boriçi” të Shkodrës mbrëmjen e sotme, përmbysje e cila nuk ndodhi.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura ku dy ekipet u përpoqën më shumë të mos gabonin. Pjesa dytë nis shpresëdhënëse për Vllazninë e Shkodrës.
Në minutën e 54- ët, pas një krosi në zonë nga krahu i djathtë i sulmit kuqeblu, Bala kërcen fort dhe e dërgon topin në rrjetë me kokë. Mendohej se presioni i vendasve do të rritej por në fakt, nuk ndodhi ashtu.
Shkodranët pretenduan për penallti për një prekje me dorë të topit në zonën e miqve në minutën e 78- të dhe mbajtje të Malës në zonë në minutën e 88- të. Ndeshja përfundoi me fitoren minimale të Vllaznisë.
Largimi nga Europa e futbollit, përveç zhgënjimit të tifozerisë, sjell jo pak probleme edhe për financat e Vllaznisë. Megjithatë, deri tani, drejtuesit janë përpjekur të lehtësojnë barrën, duke larguar lojtarë të shtrenjtë e marrë emra jo shumë të njohur. Tashmë shkodranët duhet të mendojnë për sezonin e ri futbollistik shqiptar.