Parlamenti në funksionin legjislativ nuk miratoi asnjë ligj reformash sektoriale, riktheu tri aktivitete të ndaluara prej saj gjatë mandatit të parë, miratoi ligje të personalizuara dhe në konflikt interesi, injoroi zërat kritikë dhe praktikat e mira parlamentare.
Parlamenti e humbi shansin të marrë rol udhëheqës dhe ra ndjeshëm në kuotat e besimit publik.
Arroganca, korrupsioni dhe prepotenca e mazhorancës nga njëra anë, fragmentarizmi, personalizimi dhe mungesa e opozitës reformatore nga ana tjetër, ashtu si edhe heshtja e partive të vogla dhe humbja e identiteteve te referueshme pozitive parlamentare – pati si produkt, një sesion parlamentar në kontrast të dukshëm me nevojat dhe sfidat me të cilat përballet shteti dhe shoqëria shqiptare.
Mbyllja e sesionit parlamentar me shpalljen në kërkim të një prej deputetëve më të pushtetshëm në parlament dhe dorëheqjen e “të fortit” të Krujës, – janë simbolika domethënëse për gjendjen dhe problematikat e institucionit që duhej të ishte ushtrues sovraniteti, tempull demokracie dhe kuvend i burrave e grave kurajoz, të aftë, me vizion dhe sens përgjegjësie për sfidat e sotme dhe të ardhmen e vendit. /Nga Afrim KRASNIQI, ISP/