Të gjesh një portofol me mbi 90 mijë lekë të reja apo 900 mijë të vjetra dhe t’ ja dorëzosh të zotit, nuk është një ngjarje që ndodh apo publikohet shpesh. Ka ndodhur në Shkodër, në Velipojë dhe fiks në zonën e Sektorit.
Gjatë patrullimit të zakonshëm, një punonjës policie, të cilin me këmbënguljen e tij nuk po e identifikojmë, ka gjetur në tokë, në afërsi të kompleksit “Fishta” një portofol.
Brenda tij kishte 550 mijë lekë të vjetra apo 55 mijë të reja dhe 360 euro, gjithsej më shumë se 900 mijë të vjetra. Përveç tyre në portofol ka patur karta bankare por edhe dokumente. Falë tyre, punonjësi i policisë ka identifikuar të zotin e portofolit.
Brenda pak minutave, portofoli i është kthyer atij që e kishte humbur ndërsa puonjësi i policisë ka marrë falenderimet e natyrshme të të zotit. Është një gjest që duhet vlerësuar e promovuar, tregues i qytetarisë së lartë dhe pergjegjshmërisë në përmbushjen e detyrës.
Edhe foto që shoqëron këtë shkrim, është shkrepur dhe po publikohet pa dëshirën e punonjësit të policisë por si detyrim që ne e kemi për të evidentuar shembuj të tillë frymëzues. /ShkodraWeb/