Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë po heton në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3 dhe 25, 248, 260 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 287/ gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragari 2 i Kodit Penal.
Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.
Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.
Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95, datë 28.07.2023, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë si më poshtë:
1.1. Personi juridik “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k., me Nipt L72031013B, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
1.2. Personi juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
1.3. Pasuria e paluajtshme në zotërim të shoqërisë “F.M.O.” sh.p.k, lloji pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 611 m2, me adresë Durrës.
Me ekzekutimin e vendimit nr.95 datë 28.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. /NJOFTIMI PËR MEDIAT I SPAK/