Gjykata e Tiranës ka dhënë masa e sigurisë ‘arrest me burg 40 ditë’ për ish anëtarin e UÇK-së Dritan Goxhajn, i cili u arrestua dy ditë më parë në Tiranë me kërkesë të Gjykatës Speciale të Kosovës.
Mësohet se Dritan Goxhaj është shprehur në sallën e gjyqit se “nuk ka bërë asgjë të paligjshme.” Goxhaj u arrestua dy dite me pare dhe sipas Prokurorisë, arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi, pas kërkesës së Gjykatës Speciale të Kosovës.
Prokuroria renditi edhe akuzat që rëndojnë mbi të nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Edhe policia tha ne nje reagim se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit Dritan Goxhaj, si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi.
Kush është Dritan Goxhaj
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.