Domethënë, ata që belbëzojnë se “tek-tuk” ka disa çmime jashtë normales, se shërbimi është diku copë e diku copë-copë, se sjellja dhe mirësjellja duket sikur janë shenja dobësie… këta nuk e dashkan vendin e tyre!
Ndërsa ata që të përzënë me bisht lopate në dorë se ankohesh për vezën e prishur, ata që të thonë parkimi me lekë-çadra me lekë-kumi me lekë-ajri me lekë-deti me lekë, ata që s’lënë një pëllëmbë vend për një çift pensionistësh…këta na e dashkan shumë vendin?!
Si mund të jenë kaq dritëshkurtër sa të mendojnë se kritikat që bëjnë disa vijnë nga mosdashuria për vendin, dhe nuk u shkon në mendje se ata kritikuesit duan pikërisht që vendi të jetë më mirë se Greqia, që turistët të mos vijnë vetëm nga kurioziteti dhe trendi i Tik-Tokut a Instagramit, që Shqipëria të jetë përkrah gjithë vendeve të Mesdheut për turizmin e të bëhet destinacion i përhershëm…Epo këto nuk bëhen pa punën e bashkive, kulturën e njerëzve, shërbimin buzagaz, gjuhët e huaja, shenjat e adresimet rrugore etj.
Edhe për dijeni, si eurot e pleqve të Italisë edhe paratë e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës a emigracionit një vlerë kanë… /Nga Edmond ARIZAJ, gazetar, publikuar në Facebook/