Nga fundi muajt maj e fillim qershori nisnin provimet. Në maj pothuajse nuk bëhej mësim, shkonim pa libra, kishte profesorë që na thonin të zhvillojmë pyetjet e provimeve. Shoqja ime e klasës dhe e bankës më thotë nëse do pyetjet e provimit ti zhvillojmë bashkë? Ajo ishte nxënëse shumë e mirë.
-Dakord i them, i bëjmë bashkë.
Të nesermen u nisa me biçikletë, ajo më priste te kinemaja, e përshendeta. e pyeta nëse kishte shumë që më priste.
-Jo më tha, kam nja dhjetë minuta.
– Mirë atëherë shkojmë e marrim nga një akullore.
Pastiçeria ishte përballë kinemasë. Biçikletën e mbështeta në trotuar dhe nisem për te vendi ku do mësonim. Pyetjet e para ishin të lehta.
-Sa pyetje do mësojmë sot, më pyeti?
-Po mundëm mësojmë nja 25, mirë?
Kur po i afroheshim gjysmës së pytjeve ajo m’u drejtua:
-Bëjmë pak pushim e fillojmë më vonë?
-Dakord.
Ajo u kthye me fytyrë nga unë:
– A mund të bëj një pyetje? Kush të pëlqen nga gocat e klasës se me sa di unë, ato të gjitha kanë simpati për ty.
-Rëndësi ka sa më pëlqejnë ato mua, i them unë. Ja p.sh…mua më pëlqen ti.
Ajo u skuq, vuri buzën në gaz e vazhdoi:
-Ti je një çikë i ftohtë…
-Unë i ftohtë…dhe i vura dorën në qafë. E si të duket dora e ftohtë? Dëgjo, unë nuk jam i ftohtë, mua më pëlqen e bukura por ndjenjat mundohem t’i mposht. Ti e di se kush jam unë? A e di ti se para se të nisem për shkollë unë paraqitem në apel në mëngjes e në darkë? Unë nuk erdha dot në mbrëmjen e vallëzimit se nuk me dhanë leje…
Ajo më shikonte me habi.
-Çfarë ke bërë ?
-Pyete babain se ai do dijë se çfarë kam bërë.
Babai i saj punonte në Komitet, zyrtar i lartë. Me kaq i lamë diskutimet e filluam pyetjet. Mbaruam 20 pyetje dhe i them:
-E lëmë për sot se u lodhëm.
U ngritëm, mora biçikletën, u nisa për shtëpi. Zakonisht ajo nuk hynte në klasë pa më pritur mua që të hynim bashkë, rrinte te porta duke pritur. Ju afrova portës, ajo nuk ishte. U ngjita në klasë, ndejta pak dhe zbrita. Ajo erdhi po mezi më përshendeti, duket babai e ka sqaruar mirë se kush jam… E përshendeta pa e pyetur. Dola në oborrin e shkollës, mbas një çerek ore erdhi dhe ajo. Më kaloi pranë pa ngritur kokën e më tha:
-E pyeta babain, ai më tha se ju jeni si familje, familje armiqësh të rrezikshëm. Ju nuk e doni partinë e as shokun Enver.
Ajo mi tha këto fjalë dhe e pashë që sytë i kishte plot.
-Dëgjo, nëse mundesh ngreje kokën, ne do mbetemi miq, unë do të kujtoj si një vajzë të mirë e tëe zgjuar. Unë nuk kam bërë asnjë faj, asnjë, mirupafshim. Po shkoj të luaj me top me shokët.
Miqësia filloi të shuhej dalngadalë. Kur mbas ’90-ës kishim një takim të maturës, e kishin lajmëruar që të vinte, mbasi në takim ka ardhë dhe shoku jot i bankës, Simoni.
-Jo nuk mund të vij, por i thoni se i kërkoj të falur, ishim të rinj. /Nga Simon MIRAKAJ, publikuar në Facebook, redaktuar nga ShkodraWeb/