Shkruan në Facebook Benet Beci, kryetar i Bashkisë Shkodër: Të nderuar bashkëqytetarë,
Në komunikimet tona të përditshme drejtpërdrejt apo edhe përmes rrjeteve sociale, ju shpreheni shpesh se nevoja për rregull është e ngutshme. Janë të shumta rastet kur vetë ju denonconi shkeljet e disa individëve apo edhe të institucioneve e bizneseve që dëmtojnë hapësirat e përbashkëta. Dua t’ju falënderoj sinqerisht për kontributin tuaj.
Kam dëshirë t’ju njoftoj se krahas punës në terren për pastrimin, lirimin e hapësirave publike e zgjidhjen e problematikave të tjera, po punojmë edhe për hartimin e një rregulloreje mbi bazën ligjore, për shtimin e masave administrative që duhet të aplikohen ndaj të gjitha rasteve të shkeljeve ligjore, si nga ana e subjekteve, ashtu edhe e qytetarëve.
Projektrregullorja që po hartohet nga komisioni i ngritur për këtë qëllim do të paraqitet për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Çdo kundravajtje me ligjet e rregullat do të ndëshkohet me forcën e ligjit.
Shkodra do të kthehet patjetër aty ku i ka hije. Këtë do ta bëjmë të gjithë bashkë!