Kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
Në megaoperacion janë angazhuar 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve dhe përdorimit të dronëve, janë asgjësuar në total 24 220 bimë narkotike cannabis sativa.
Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz.
Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.