Ndalo o grua, ndalo! Ndalo o grua, ndalo! Merr frymë thellë…
Mos mendo më për enët në lavaman, rrobat e palara, çarçafët për tu ndërruar, fëmijët për tu ushqyer a shtëpinë për të pastruar. Mos mendo më as për zënkat me kolegët a drejtorët e pangopur.
Ndalo, merr frymë thellë. Çoji në djall të gjitha e veç nginju me ajër, diell a shi… ç’të jetë
Shko përqafoji fort fëmijët, pa u shqetësuar se si do rriten e çfarë do bëhen nesër. Ka kohë për të gjitha
Puthe e bëj dashuri me njeriun e zemrës, plot pasion si dikur kur nuk kishit fatura për të paguar dhe gjithë bota rrotullohej në atë shtrat.
Pije një kafe me nënën, e shijoi thinjat e rrudhat e saj edhe pse ajo nuk rresht së kritikuari.
Futi krahun babës e dilni shëtitje si dikur kur të tregonte rrugët e qytetit e ti fëmijë mahniteshe.
Shko po deshe e dehu me muzikë e alkool e kërce deri në mëngjes me shoqëri të zhurmshme,
Ose thjesht pije një gotë verë me miqtë fjalëpakë
Lexo një libër, shih një film, një opera, koncert apo futu vjedhurazi në një mbrëmje gala
Ose, ose thjesht mos bëj asgjë. Ndalo! Vetëm ndalo dhe merr frymë. Shijoje fëshfërimën e gjetheve, zhurmën e dallgëve, rrezet e diellit apo flladin e erës.
Thjesht mjaft vrapove, ndalo dhe nginju me aromën e jetës….dhe dashuroje së pari veten!
Për të gjitha gratë, veçanërisht brezin e nënave tona që nuk rreshtën së vrapuari gjithë jetën saqë harruan dhe veten. /Nga Erjona RUSI, publikuar në Facebook/