Ndonëse dukshëm sovrani ndihet e shprehet i lodhur nga pushteti i stërgjatë e plot mega- skandale korrupsioni, habit përzgjedhja e mospërfshirjes nga një shumice gri gjithmonë në rritje.
Në këndvështrimin tim, përgjatë viteve është politika ajo që është munduar ti përvidhet syrit dhe mundësisë për përfshirje e pjesëmarrje aktive të njerëzve (arsyet e qëllimet besoj janë të qarta).
Kjo “elitë politike” e diskretituar në sytë e opinionit publik është e pafuqishme të rindezë shpirtin opozitar e të rifitojë mendjet dhe zemrat e njerëzve, sepse kërkon pjesëmarrje popullore vetëm atëherë kur ndjen lëkundje pushteti.
Si nënshtetas bashkohem me postulatin e Aristotelit, kur flet për “qënien politike”: Qytetar është ai që kontribuon në mënyrë aktive, në përpunimin e vendimeve kolektive.
Po, kjo do ishte idilike, por si mundet ti kërkosh pjesëmarrje aktive qoftë edhe përkrahësve te tu kur ndër vite nuk ke mbajtur një kongres subjekti që ta meritojë një emer të tillë, me diskutime politike gjithëpërfshirëse ku mos ti mohohet fjala delegatëve pjesëmarres, apo me keq ke mbajtur aktive përjashtuese si ato të 92-95 ku janë linçuar individë që mbronin fjalën e lirë, me primare të cilat kanë rezultat të paraditur e që në vend të joshin votuesin e lodhin dhe largojnë atë, dhe me ato pak institucione lokale që kemi nën “hyqëm” po që janë gjithmonë e më pak përfaqësuese sa i përket identitetit të subjektit…
Dhe tentativat me forma të reja që synojnë gjasme gjithëpërfshirje si referendumet apo platformat online ndeshen me ndjenjë të thellë skepticizmi dhe zhgënjimi, derivat i mungesës së theksuar të besimit tek një elitë që riciklohet turpshëm prej më shumë se 30 vitesh, a thua se beson tek miti i pavdekshmërise dhe nuk ka në mend ti lëshojë vendin askujt tjetër.
Po, duhet:”Pjesëmarrje e autoritetit sovran sidomos aty ku qytetari mjaftohet duke iu nënshtruar ligjeve të shtetit” (Rousseau). Por kjo duhet të vinte rrjedhshëm nga një debat konstruktiv dhe vendimmarrje kolegjiale ndër vite e jo e detyruar, sajuar e kerkuar vetem ahere kur “patatja” po djeg duart e dikujt… /Nga Harris MURANA, publikuar në Facebook/