Kanë mbërritur ditën e sotme në Shqipëri eshtrat e ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Mbesa e Qazim Mulletit, në një intervistë për “News24” u shpreh mirënjohëse, ndërsa tregoi edhe për vështirësitë e asaj kohë për shkak të regjimit.
“Ishte një detyrim familjar, por besoj se është edhe shoqëror. Jam një përfaqësuese e familjes, i jemi mirënjohës të gjithëve. E kemi ditur që jetonte në Romë, por komunikimi me familjen ka qenë i dhunshëm. Nënë e bir u internuan në kampin e Tepelenës.
Tregonte për një dhimbje të pakrahasueshme, për hapjen e 300 varreve. Kur u largua e gjithë Europa ka qenë në luftë, nuk kishte ku të merrte familjen. Letra e familjarëve tonë si të xhaxhait, na vinin në adresë me emra të tjerë, miqsh italianë.
E ka ndihmuar familjen me pako, me ushqime, por ai vdiq në moshën 62-vjeçare dhe familja i mbeti në internim gjithë jetën”, tha gjatë një interviste për gazetaren Fatmira Nikolli mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha.