Shkruan në Facebook Benet Beci, kryetar i Bashkisë Shkodër: Sot Adi, shoku im i ngushtë, nuk është më midis nesh. Në përcjelljen e fundit të tim eti, Adin e kisha pranë, së bashku me Luçin, bashkëshorten e tij, gjatë të gjitha ceremonive. Me dhimbje, sot duhet të jemi në ceremoninë e përcjelljes tënde Adi . Është shumë e rëndë për t’u përballuar.
Me moshën kemi bërë humor dhe duke dashur që vdekjen ta mbajmë larg. Por ja që me ndarjen tënde nga jeta, ndodhi që ajo të na fshikullojë së afërmi.
Adi i dashur, gjithmonë ke qenë aty me ne, por ne ndjenim përkujdesjen tënde për nënën, dashurinë për Lucin, preokupimin për Nikin e për Elielin. Nje Bir i vëmendshëm e i dedikuar, një Baba mbështetës, një Bashkëshort i përkushtuar. Për ne një Shok i pazëvendësueshëm. Asgjë nuk na ngushëllon sot, por kujtimet me ty jane aq të pafundme, aq të bukura, e në të gjitha ato ti je mes nesh.