Nuk i gjejmë gjanat vetëm pse mendojmë se ato zgjasin njilloj si ne. Ia aplikojmë kohën tonë të mbrendshme hapsinës dhe mendojmë se e kena në dorë. Hapsina ka nji ritëm tjetër prej tonit, ajo thith energji dhe rrezaton po atë që ka thithë.
Nji kthim të tillë në hapsinën urbane të Shkodrës së viteve ’20 gjejmë edhe në kujtimet e Jakov Milajt.
Kujtimet nisin me përshtypjet e para të Shkodrës në nji mbramje shtatori të vitit 1926, dy të rinjve prej jugut që vinin me studiue në gjimnaz. Mbasi kishin pa Tiranën që u ishte dukë ma e shëmtueme se Kavaja, mandej edhe Lezhën, që s’i vinte era qytet, shkruen autori, me Fordin e Faslli Ademit që bante rrugën Tiranë-Shkodër, mbërrijnë në Shkodër.
Gjejnë hotelin dhe restorantin me ndihmën e shoferit, Muhamet Halilit, të cilin autori i kujtimeve do ta ritakonte në Shkodër edhe në vitet ’60, tashma të plakun, e po ai Muhameti zemërbardhë do të gjente mundësinë me i ofrue kafen Jakovit dhe kolegëve të tij me shërbim në Shkodër.
Atë mbramje shtatorit të vitit 1926, mbasi vendohen përkohsisht në “Dépendence du Grand Hôtel” (çfarë emërtese naltkumbuese, në sintoni me gjanat tjera të “mëdhaja” të qytetit), Muhameti i shoqnon tek restorant “Ylli” i Jonuz Alisë, ku edhe pse kishin mbyllë, e hapin kuzhinën për jabanxhinjtë të cilën prekin gjestet e para të mirësisë së atij qyteti.
Njohin profesorat: Mirash Ivanaj, Gabriel Meksi, Paul Goujon, Taip Shkodra, Kolë Kraja etj. Shokët e gjimnazit: Zenel Hekali, Vasil Konomi, Nuri Hamzaraj, Salo Halili, Abdyl Bekteshi, Sadik Miloti, njohin lagjet: Tophanë, Parrucë, Ndocaj, Dudas.
Kujtime të thekuna, të rrëfyeme në nji kohë të vështirë por gjithsesi me imazhet e pashlyeshme rinisë. (Në foto paria e shoqnisë “Besa” e Gjimnazit të Shkodrës, vitet ‘20). /Publikuar në Facebook nga Ardian NDRECA/