U mbyll edhe edicioni i 14 i Shkodra Jazz Festival. Si gjithmonë sodisfaksioni për të ba gjana interesante i tejkalon vështirësitë që hasen përgjatë rrugëtimit… Me bindjen që ngelen akoma mjaft gjëra për t’u rregulluar, ritheksoj impenjimin tim si Kompozitor/Arranzhator dhe Jazz Pianist, në përhapjen dhe promovimin e muzikës së krijuar me kritere profesionale, gjithnjë në bashkëpunim me kompozitorët dhe protagonistët e brezit të ri, së bashku me mbështetësit e aktiviteteve tona dhe të Bashkisë Shkoder Pro vlerave artistike, kundra shpërdorimeve dhe varfëris edukative.
Më kujtohen si sot, “andrrat e brezit tim” me shokë e muzikanta të mirë si Gjon Shllaku, Lekë Spathari, Rrok Jakaj, Paç Pavaci, Shpëtim Saraçi etj… at’herë kur Muzika bashkohore, Jazz, Pop/Rock ishte e ndaluar, dhe ne i kalonim partet mes njëri tjetrit fshehurazi, si “Trakte” mes disidentësh.
Kujtoj pasionin e madh për muzikën i cili na pat lidhë dikur qysh se ishim të vegjël, pasion ky që akoma sot na ban me kenë NJI me njëri tjetrin. Pikërisht, kjo miqësi mes muzikës është pasunia ma e madhe që më ka lanë Baba Gjon Mark Kapidani … gjithashtu, kjo është edhe “pasunia” që ai u mundue me e nda ka pak me gjithsecilin prej nesh, … në atë shkollën e dikurëshme të Muzikës.
Prandaj impenjimi im kundrejt Shkodres nuk është vetëm personal … por me shokë të mirë: me Profesionistat ma t’mirë që ky qytet ka mundësinë me pasë, biles duke e shtrirë hapsinen me të gjithë shoqnin e madhe të Artistave me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite si brënda gjithashtu edhe jashtë vëndit.
Po e mbyll këtë shkrim me një foto të vjetër e cila për mua vlen sa një jetë … bashkë me Rrokun, shokun tonë andrrimtar … Mirupafshim në aktivitetet në vijim. /Nga Markelian KAPIDANI, publikuar në Facebook/