Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas njoftimit se një shtetas kishte tentuar t’i merrte me dhunë paratë, një shtetaseje të moshuar, në banesën e saj, kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– V. F., 20 vjeç, banues në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.
Ky shtetas është futur në banesën e shtetases R. H., 81 vjeçe, e cila jetonte vetëm, dhe ka tentuar të vjedhë një shumë parash. Pas ndërhyrjes së shtetases së moshuar, 20-vjeçari e ka goditur atë me send të fortë dhe për pasojë i ka shkaktuar dëmtime fizike. 81-vjeçarja mori ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.