“Prona është e shenjtë”. Ky slogan kaq i pëlqyer tingëllon shpeshherë e gati gjithmonë si mburoja e pronarëve. Sa e shenjtë do t’u duket prona atyre që nuk kanë asnjë pronë? Atyre që nuk kanë pasur mundësinë të kenë qoftë edhe një banesë modeste të regjistruar në hipotekë.
Ju do të pyesni: ka të tillë? Ka sa të duash, por unë do t’ju pyes juve: Ç’dini ju për origjinën e pronës në Shqipëri? Ata që kanë shumë toka, plantacione, fshatra dhe fusha të tëra nga i kanë marrë? Do të thoni se i kanë trashëguar. Dakord. Po të tjerët që nuk i kanë, kush i pengoi të mos i kishin dhe t’i trashëgonin. Apo paskan qenë të gjithë budallenj dhe dembelë dhe vetëm 7% e popullsisë e paskan punuar fort tokën. Për të mos fyer pjesën që nuk ka plantacione, atë 90%-shin tjetër dhe për të mos e kaluar në depresion, mjafton të futemi në historinë e origjinës së pronës në Shqipëri.
Pa të kujtojmë pak edhe shpërblimet që perandoria osmane u bënte ushtarakëve dhe ofiqarëve shqiptarë që shkëlqenin me shërbimet e tyre në favor të saj. Historia na vërteton ilegalitetin e origjinës së pronës, ndërsa “Prona është e shenjtë” legalizon paligjshmërinë e saj. Si nuk e gjejmë këtë koncept në librat e shenjtë? Pse nuk na shkon mendja të pyesim çfarë pronash kanë pasur dhe kanë lënë në trashëgimi Krishti dhe Muhamedi. Sepse shenjtëria aty ka kuptim. Po kolonizatorët që shfarosën miliona banorë, duke u bërë pronarë të tokave të pushtuara?
Pasardhësit e tyre janë pronarët më të mëdhenj të botës sot. E prona e tyre është e shenjtë, kurse skalpet e lëkurëkuqve, gjaku i aborigjenëve, tregtia e zezakëve janë të pashenjta. Sa grabitës, hajdutë, mashtrues, përdhunues, vrasës, trafikantë janë bërë pronarë tash tri dekada në Shqipëri? Sa politikanë injorantë të ardhur prej mjerimit nga zona ku ha pula gur, janë sot pronarët e vetëm të Shqipërisë, aq sa duket sikur pjesa tjetër e shqiptarëve jetojnë gabimisht në një vend që s’është i tyri, sepse të drejtën dhe shenjtërinë e pronës e kanë vetëm ata që përmendëm.
Nëse një grabitës vë maskën dhe u boshatis xhepat disa personave, menjëherë paratë që ka marrë bëhen prona e tij “e shenjtë”. I shenjtë është edhe një koleksion orësh me origjinë të pashenjtë. Së fundi, më mirë të thuhet: “Prona mbrohet me ligj edhe kur është e paligjshme”, sesa të thuhet “e shenjtë”, sepse “edhe dreqin e mbron ligji”- thotë Migjeni, kurse unë do të thosha: vetëm dreqin mbron ligji. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/