Regjimi komunist ra me turp dhe falimentoi ekonomikisht në dhjetor 1990 duke e ngordhur popullin për bukë. Ekonomia e tij artificiale ishte ndalur në çdo gjë. Fabrikat, uzinat dhe kombinatet, të cilat dilnin me humbje, nuk mund të vazhdonin më të bënin sikur ishin normale. Bujqësia në katastrofë nuk mund të shpëtonte humbjet e mëdha që vinin nga industria.
Në shkëmbim të shpëtimit të situatës, i detyruar nga rrethanat, Ramiz Alia atë moment pranoi pluralizmin në këmbim të ndihmës nga Europa. Në fillim të vitit 1991, shtete të veçanta si Italia, Turqia, Greqia, etj, sollën ndihmat e para kryesisht drith, duke shpëtuar vdekjen e shqiptarëve nga uria. Më pas ky proces u bë i organizuar. Shpërndarjen dhe organizimin e bëri Italia. Ndihmat i kalonin shtetit shqiptar, i cili i shiste me ndërmarrjet e tij dhe krijonte buxhetin me të cilin paguante rrogat e admnistratës.
Operacioni i shpërndarjes së ndihmave, i cili quhej “Pelikan” (Pellikano) nisi më 2.9.1991 me një ceremoni të zhvilluar në Tiranë. Në atë kohë ishte Qeveria e Stabilitetit. Deri në vitin 1993, operacioni lëvroi rreth 750 mijë ton ushqime si miell, oriz, sheqer, fasule, vaj, qumësht pluhur, djathë, lëngje frutash, etj. U vendosën 5 mijë trupa ushtarake në Shqipëri. Nuk u ankuan “sovranistët” e tollonit, apo “veteranët”, ata që kishin mbrojtur 46 vjet fitorje.
U aktivizua marina italiane, helikopterët, avionët dhe makinat e transportit. Në Vlorë dhe Durrës u vendosën dy njësi shëndetësore që kryen 200 mijë ndërhyrje mjekësore. Populli shqiptar rezultonte me probleme të mëdha shëndetësore. Kostoja e opetacionit llogaritej 20 miliard lireta në muaj. Komuniteti Europian dhe NATO ishin garantuesit e këtij procesi. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/