Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci: Një ankesë e bërë nga një qytetare, pronare e një lokali në katin e parë të një pallati në rrugën ” Martin Camaj”, lagjja nr. 2, u kthye në plan pune, duke i dhënë zgjidhje një problematike që ekzistonte prej vitesh dhe që paraqiste rrezik për kalimtarët.
Nga shërbimet publike të Bashkisë është ndërhyrë sot për heqjen e xhamave që rrezikonin të binin nga fasada e këtij pallati, ku më pas është bërë edhe pastrimi i zonës.
Kanë qenë të shpeshta rastet e rënies së xhamave nga kjo fasadë, ndonjëherë edhe me dëme në njerëz e rreziku që ekzistonte ishte kthyer në një makth për banorët dhe kalimtarët.
Puna jonë e ka në fokus përmirësimin e cilësisë së jetesës së çdo qytetari, edhe me punë të vogla në dukje, ndaj në mënyrë të veçantë falënderimi im shkon për qytetarët, për besimin që po tregojnë ndaj Bashkisë Shkodër duke parë te ne një derë të hapur për shqetësimet e tyre të përditshme e duke bashkëpunuar nëpërmjet denoncimeve e gjetjes së zgjidhjeve në të mirë të komunitetit.