Ne ishim popullsia më fshatare në Evropë. Dhe kjo na bën nder. Fshatari ishte kampioni ynë social më i sigurt dhe autentik, qoftë edhe për të njohur historinë, antropologjinë, mentalitetin, fisnikërinë, virtytet e tjera, etnogjenezën dhe gjithë çfarë ka palca etnike e kombit shqiptar. E megjithatë, ishte dhe mbetet i ndëshkuar nga disa fatalitete absurde.
Në kohën e diktaturës fshatarit shqiptar i ndalohej me ligj të hante bukë gruri. A ngjan pak e rrallë kjo, kur gruri prodhohej në fshat nga vetë fshatarët? Dhe, o ironi! Pas korrjes së grurit, në çdo fshat festohej festa e grurit! Dhe fshati hante bukë kallamboqi. Sot ushqehet me bukë gruri, por i ka vdekur fshati.
Mallkimi tjetër biblik që po e ndjek fshatarin, është niveli qesharak i pensioneve. Si vallë tash 33 vjet, politik(anj)t shqiptarë, më të mirët prej tyre fshatarë, bij bujqësh e blegtorësh të ndershëm, nuk arritën të sigurojnë për prindërit e tyre të plakur një pension të krahasueshëm me pensionet e qytetarëve brenda të njëjtit shtet? Duket se po përsërisim shumë gjëra nga e kaluara që e shajmë. Një nga këto është fjala “dosje”.
Pavarësisht tjetërsimit të përmbajtjes dhe funksionit, shija e fjalës “dosje’ krijon fobi sot në sektorin e arsimit. Në fillim të çdo viti shkollor, një numër shumë i madh mësuesish jetojnë ankthe të tmerrshme ekzistenciale. Numri i nxënësve ka rënë. Dikush nga mësuesit duhet të ikë. Nuk ka orë. Secili pyet veten: Do jem apo s’do jem? Si të mbrohem? Duke mbushur dosjen me dëshmi, me kredite, me gjuhë të huaja, deri edhe kinezisht. Sa pikë kam? Sa dokumente ka kolegu im? A thua ma kalon? Çfarë duhet që t’ia kaloj? Të blej 2- 3 doktoratura dhe një tufë kreditesh? Ky ankth kthehet dhe është kthyer në garë letrash fiktive, që nuk shërbejnë as për funksione higjienike, por mungesa e tyre të fik derën. Por edhe futja e duarve dhe e këmbëve prej gjithkujt në dosjen personale të punjonjësve është njëkohësisht edhe një shkelje e shëmtuar dhe e neveritshme e privatësisë së individit.
Por faji nuk është i atyre që fusin duart. Është i ligjit që parashikon se njeriu bëhet i zgjuar dhe aftësohet me dëshmi, vendime dhe dekrete. Këtu hyn në punë Bërnsi i Skocisë:
“Ashtu kështu, më vjen drang- drung/
I mbushur me merita/
Por trungu prapë mbetet trung/
Me urdhra dhe shirita. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/