Bashkia e Shkodrës ka mbyllur garën për kandidatët për pozicionin e drejtorit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”. Në mbyllje të afatit për dorëzimin e dokumentacionit, rezultojnë në garë 3 emra, përcjell ShkodraWeb.
Anton Kaftalli, drejtor i Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” është emri i parë që ka shfaqur interes për të marrë drejtimin e QKF- së. Është një figurë e njohur jo vetëm si mësues e muzikant por edhe si ish- anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
Orjeta Laro (Kelaj) është emri tjetër që ka shprehur interesin. Ajo është një nga emrat më të njohur të muzikës shkodrane si këngëtare, njëkohësisht edhe mësuese.
Aurela Serreqi është kandidatja e tretë për këtë pozicion, ndoshta më pak e njohura për publikun në këtë garë të hapur për pozicionin e drejtueses së QKF- së Shkodër.
Këta emra, pasi të kalojnë fazën e plotësimit të kritereve për kandidimin, do ti nënshtrohen testimit të mëtejshëm nga komisioni përkatës i ngritur nga Bashkia Shkodër për këtë qëllim. /ShkodraWeb/